Ditën e sotme policia e Lezhës ka arrestuar shtetasit Pertef Musabelli, Henri Haxhiraj, Arjan Refugjati dhe Erigesji Moriga si pjesë e një rrjeti që shërbente për prodhimin e dokumenteve të të falsifikuara. “GazetaShqip” raporton se mes të arrestuarve është edhe vëllai i këngëtares së njohur, Sheila Haxhiraj. Policia e Lezhës ka njoftuar se Henri Haxhiraj së bashku me të arrestuarit e tjerë kanë përfituar shuma të ndryshme monetare që variojnë nga 500-300.000 euro nga shtetas të huaj të cilët binin pre e mashtrimit të këtij grupi.
Gjatë operacionit është zbuluar një laborator që dyshohet se shërbente për prodhimin e dokumenteve të huaja të identifikimit, të dyshuara të falsifikuara, dhe një ambient ku ushtrohej aktivitetit i dyshuar i mashtrimit kompjuterik, ndaj shtetasve të huaj. Gjatë kontrolleve të ushtruara në disa ambiente në Lezhë, Tiranë dhe Elbasan, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: pasaporta dhe karta identiteti bullgare, karta identiteti spanjolle, pasaporta, karta identiteti dhe leje drejtimi italiane, fotokopje dokumentesh të huaja e shqiptare, pasaporta shqiptare, certifikata, 11 njësi kompjuterike, karta bankash, laptopë, USB që përmbanin të dhëna personale të disa shtetasve të huaj të mashtruar nga shtetasit e lartpërmendur.