Në kulturën japoneze, frutat konsiderohen si një artikull luksi dhe dhuratë. Në fakt, supermarketet japoneze shpesh nuk shesin fruta nëse kanë ndonjë të metë ose nuk janë në formën e duhur. Ruby Roman, i cili është një varietet rrushi i rritur në Japoni, është pothuajse katër herë më i madh se lloji mesatar. Por çmimi i tij është gjithashtu shumë i lartë pasi një bistak kushton 450 dollarë. Por nuk është vetëm çmimi dhe madhësia, që e bën këtë rrush të veçantë dhe të famshëm. Çdo bistak i rrushit unik Ruby Roman inspektohet nga afër përpara se të miratohet. Bistakët zgjidhen në bazë të madhësisë së tyre të pazakontë, ngjyrës dhe shijes uniforme.
Hiroshi Isu, një studiues kryesor në Universitetin Prefektural Ishikawa në Japoni, tha për Business Insider se nuk ka asnjë varietet tjetër në botë aq të madh dhe të kuq sa Ruby Roman, prandaj frutat janë kaq të vlefshëm. Rrushi ndahet në tri kategori, përkatësisht rrush superior, rrush special superior dhe premium. Kokrra normale e rrushit Ruby Roman është rreth 20 gram. Vetëm një ose dy bistakë kualifikohen si premium. Megjithëse rrushi ndahet në tre kategori, i gjithë lloji i rrushit ka një aromë unike të ëmbël.
Rrushi i cilësisë së lartë përbën pothuajse 90% të vjeljes, dhe rrushi Special Superior përbën rreth 10%. Rrushi superior mund të kushtojë midis 90 dhe 140 dollarë. Rrushi Special Superior ka një çmim prej 180 dollarë deri në 450 dollarë. Vjelja e rrushit fillon në korrik, në kohën e duhur për një nga dy festat kryesore japoneze të dhuratave, Ochugen. Rrushi rritet vetëm në prefekturën Ishikawa dhe kultivohet në serra, ku fermerët kanë kontroll më të mirë mbi procesin e rritjes. Çdo rrush monitorohet, në mënyrë që çdo kokërr të duket krejtësisht identike. Për të prodhuar rrush me madhësinë e duhur, ata përdorin një pajisje për hollimin e rrushit dhe një palë gërshërë të thjeshta.
Fermerët synojnë të shesin një bistak rrushi premium për mbi 1000 dollarë. Sidoqoftë, një bistak rrushi Ruby Roman u shit për 12,000 dollarë në ankand në 2020. Çmimi i rrushit ka shkaktuar një mori reagimesh në internet. Ndërsa shumë janë të shokuar, të tjerë janë kuriozë të dinë se si shijon rrushi.