JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Kokaina e kapur në Portin e Durrësit! Taktika e trafikantëve për mos t’u kuptuar nga autoritetet
Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 13/10/2021 13:30

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me kokainën e kapur ditën e djeshme në portin e Durrësit. Prokuroria e Posaçme ka bashkuar dosjen me 4 ngarkesat e kapura që prej korrikut në port. Bëhet fjalë për ngarkesa të sjella nga e njëjta kompani. Burime nga SPAK, i thanë Fax news se operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me policinë e shtetit pas marrjes së informacionit se në kontenierë dyshohej se kishte kokainë. Ndërkohë, hetuesit e strukturës anti-korrupsion janë duke kryer të gjitha veprimet e nevojshme duke vlerësuar edhe ngjarjet e fundit.

Ndër të tjera, raportohet se porositë për kontenierët e firmës “Alba Exotic Fruit” janë dhënë përpara kapjes së sasisë së parë, pasi pas mbushjes me banane në Ekuador rruga zgjat 3 javë deri më 3 muaj e gjysmë derisa të mbërrij në destinacion. Trafikimi i kokainës nga Ekuadori drejt vendit tonë në sasi të vogla, duket se ka qenë një nga metodat për të bërë të mundur nxjerrjen e lëndës narkotike nga Porti i Durrësit, pa u vënë re nga autoritetet.

Vijon puna për identifikimin e porositësve, pasi ka dyshime se pas këtij trafiku fshihet një grup kriminal. Nga 13 korriku e deri më sot në kontenierët e kompanisë “Alba exotic Fruits” kokaina është kapur në 5 raste, ku në total janë sekuestruar rreth 44 kg kokainë, një sasi e vogël krahasuar me dërgesat e tjera të kapura në port. Sipas hetuesve kjo është një metodë që autoritetet të mos dyshonin për trafikun e paligjshëm. Por, në 2019, po në pronësi të kësaj firmë u kap një sasi e madhe prej 137 kg kokainë. “Alba Exotic Fruit” importon prej vitit 2011 fruta nga vendet e Amerikës së Jugut. Kompania është në zotërim të Eduart Dautit, i cili është në kërkim.