Rikthehet sërish në vëmendje Mihal Kokëdhima, ish-pronari i restorantit “Panorama” i cili u bë i njohur në media dy vjet më parë pasi dhunoi turistët spanjollë duke hipur sipër një furgoni. Historia e Mihalit trazoi turizmin dhe politikën në Shqipëri dhe sipas Policisë dhe Prokurorisë sherri me turistët nisi për një faturë që nuk ishte paguar nga këta të fundit. Më pas pronari i restorantit,Kokëdhima, i kërcënoi dhe dhunoi ata. Në atë kohë Kokëdhima u arrestua dhe dënua dhe më pas fadromat e IKMT i shembën hotelin dhe restorantin. Por ditën e sotme ai është bërë sërish protagonist, pasi siç shihet në një video ekskluzive për JOQ Albania, ai ka debatuar me disa pushues në plazhin e Porto Palermos.
Debati ka nisur për shkak se pushuesit i kanë zënë dy zhezlonge të tijat dhe për këtë janë shprehur të gatshëm edhe të paguajnë. Por Mihali nuk ka pranuar pasi druhej se pushuesit mund ta denonconin në polici se ai po merr lekë. Ata debatojnë gjithashtu edhe për plazhin, ku qytetarët të nxehur i shprehen që të vendosë një tabelë dhe të sqarojë se është pronë private. Ndërkohë Kokëdhima ia kthen se plazhi është publik dhe se nuk kanë të drejtë t'i prekin çadrat e tij. Nga ana tjetër pushuesit dëgjohen të thonë se kanë lajmëruar policinë.