Policia Rrugore ka proceduar penalisht të riun, i cili lëvizte kundravajtje me automjet në rrugën kryesore në Kamëz dhe këtë e filmonte për ta postuar në rrjetet sociale. Policia shprehet se, drejtuesi i mjetit është 17 vjeç dhe pa leje drejtimi. Në njoftimin e policisë, thuhet që videoja është denoncuar edhe në Komisariatin Dixhital, por siç shihet, videoja është marrë nga JOQ ALBANIA, duke i fshirë edhe logon. Nukë shtë hera e parë që JOQ ALBANIA denoncon raste të tilla, të cilat kanë qenë një ndihmë e madhe për policinë.
Njoftimi i plotë:
Policia Rrugore e Tiranës, nisur nga postimi në disa media sociale, i një videoje ku shfaqet një drejtues automjeti, i cili filmon veprimet e tij duke qarkulluar në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor në sens të kundërt me atë të lejuar në zonën e Kamzës, ankesë e përcjellë edhe nëpërmjet Komisariatit Dixhital, nga strukturat përkatëse të Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë u bë i mundur identifikimi i drejtuesit të automjetit dhe shoqërimi i tij pranë Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë. Nga hetimi rezultoi se shtetasi i mitur me iniciale E. N., 17 vjeç, ka drejtuar automjetin në mënyrë të parregullt dhe të rrezikshme për përdoruesit e tjerë të rrugës, duke qenë i papajisur me leje drejtimi.
Ndaj 17-vjeçarit filloi procedimi penal për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe po punohet për sqarimin e rrethanave dhe përgjegjësive të tjera administrative në raport me shkeljet.
Policia Rrugore këshillon të gjithë qytetarët që të mos reklamojnë në rrjetet sociale sjellje apo veprime që nxisin veprime të ndaluara kryesisht tek të rinjtë si dhe për shkak se jemi në fundjavë, në akset rrugore në drejtim të zonave bregdetare dhe turistike evidentohet fluks shumë i lartë i mjeteve, duhet që të gjithë drejtuesit e automjeteve të respektojnë sinjalistikën rrugore, të mos kryejnë parakalime të gabuara dhe të qëndrojnë në radhë ku lëvizja është e ngadaltë për shkak të ngarkesës në trafik, pasi në të gjitha rrugët e vendit ka radarë dhe prezencë të Policisë Rrugore, të pajisur edhe me dronë, dragera, kamera e aparate fotografike.