Një tjetër cep i Jugut do të kapet nga oligarkët... Këtë radhë bëhet fjalë për një kompleks turistik në Kepin e Stillos. Zotërues i këtij kompleksi në Vrinë, specifikisht zona e quajtur Shën Koll i Detit, në Konispol do të jetë kompania “Jonian Heaven Group sh.p.k” Vrinë, hapësirë e cila në total ka një sipërfaqe prej afërsisht 128 hektarësh. Investimi në këtë projekt do të shkojë rreth 78 (shtatëdhjetë e tetë) Milion Euro. Resorti do të ndërtohet në vijën bregdetare prej afro 12 km dhe sipërfaqe 650 ha, dhe pretendohet se është tërësisht pronë private e trashëguar, e fituar me vendim gjykate.

Nëse do i hedhim një sy kompanisë që do betonizojë bregdetin shqiptar dhe do e kthejë atë në një resort oligarkësh, ku do të mund të hyjnë e të banojnë të privilegjuarit e pushtetit, do të shikojmë se përbëhet nga disa aksionerë.
Me 80% zotërues të aksioneve është Arben Taipi, ndërsa grushti tjetër kanë nga një 5% aksione në zotërim. Administrator është Indrit Bakalli me 5%, Besnik Myftari 5%, Elton Poga 5% dhe Stelian Mataj me 5%, pothuajse të gjithë emra me pozicione të mira në mediat shqiptare. Taipi zotërues i (E&E Investment) dhe administrator i përgjithshëm i Digitalb, ka pjesën më të madhe të aksioneve të kësaj kompanie, duke u pasuar nga Indrit Bakalli, zotërues i B&B Investments dhe gjithashtu disa kompanive të tjera, përfitues i tenderave publikë me kompaninë e tij “RADIO FREQUENCY & ADVANCE ENGINEERING” SHPK. Zotërues me 5% është po ashtu Besnik Myftari ish-drejtor i gazetës Shqip, disa kompanive të tjera dhe shtëpisë botuese “Saras”. Po ashtu në listë është i përfshirë edhe Elton Poga me 5% të aksioneve, “koka” e departamentit teknik në Top Media, zotërues i një kompanie elektronikesh. I fundit or jo më pak i rëndësishmi është Stelian Mataj, zotëruesi i GOLD FORTUNE GROUP, një kompani që ka si objekt emetimin e parasë elektronike.
Pothuajse të gjithë zotëruesit e kësaj kompanie me shumë aksionerë, vijnë nga fusha e medias, por pikëpyetja që bie është se kush qëndron De Facto pas gjithë këtyre emrave që De Jure janë zotërues të kësaj kompanie që do ndërtojë resortin në jug dhe cila është arsyeja që ata janë bërë bashkë?