JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Makinë e re me opsione luksi, tender i dyshimtë pa garë i Fredi Kokoneshit të Divjakës
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 10/07/2021 22:05

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Tenderat e dyshimtë që me shumë gjasa sjellin abuzime me buxhetin e shtetit janë shtuar shumë së fundmi. Vetëm pak ditë më parë u arrestua kryebashkiaku i Lushnjes Fatos Tushe bashkë me disa vartës të tij dhe disa biznesmenë për një tender të dyshimtë. Por duket se ai nuk është i vetmi, pasi edhe “komshiu” i tij, në Divjakë ka organizuar një procedurë prokurimi që ngjall jo pak dyshime.

Bëhet fjalë për Fredi Kokoneshi, aktualisht Kryetari i Bashkisë së Divjakës. Institucioni që ai drejton ka organizuar një tender më numër reference REF-98654-06-21-2021 dhe me objekt blerje automjeti për nevojat e Bashkisë Divjakë, me fond limit në vlerën 4,166,667 lekë të reja pa TVSH. Por nëse shikon specifikimet teknike të tenderit, mëson se bëhet fjalë për një makinë me opsione luksi. Kështu kërkohet që mjeti të jetë me zero kilometra dhe vit prodhimi 2016 e mbrapa, të ketë sedilje lëkure, shinat të kromuara, pasqyrat fotokromatike, disqe alumini, xhamat e erret mbrapa, ndricim LED para dhe mbrapa, sistem navigimi, ndezje me buton, drita xenon, tërheqje 4×4 etj.

Por përveçse sa më sipër, rezulton se tenderi është zhvilluar pa garë fare, në mungesë totale të konkurrencës. Kjo sepse në të ka marrë pjesë vetëm një kompani e cila natyrisht është shpallur edhe fituese. Bëhet fjalë për HYUNDAI AUTO ALBANIA në pronësi “me letra” të shtetasit Ilir Zeka, e cila ka ofruar shifrën prej 4,100,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 50 milionë lekë të vjetra me TVSH. Kjo shifer shikohet mjaft qartë që është thuajse identike me fondin limit të tenderit. Të gjitha sa më sipër nxisin dyshime se fituesi mund të jetë i paracaktuar.