Tomi Frashëri vazhdon të mos i zhgënjejë “fansat” e tij që mezi presin të shikojnë tenderat e rradhës që ai i jep kompanive të ndryshme. Mirëpo këto tendera në shumicën e rasteve janë të dyshimtë dhe nuk shërbejnë për të sjellë vlerë të shtuar në punën e institucionit të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, shkurt AKEP. Përkundrazi, duke parë mënyrën se si janë realizuar, këto tendera japin përshtypjen se janë dhënë vetëm për të mbushur xhepat e kompanive fituese.
Në rastin konkret bëhet fjalë për një procedurë prokurimi që mban numrin e referencës REF-86790-02-11-2021 dhe ka për objekt “Shpenzime për mirëmbajtje dhe operim i bazës së të dhënave të centralizuar të Portabilitetit të Numrit (CRDB)”. Ky tender ka si fond limit vlerën prej 33,600,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 400 milionë lekë të vjetra me TVSH. Përtej faktit të dyshimtë se janë llogaritur gati 400 milionë lekë të vjetra vetëm për mirëmbajtje, vihet re se në të kanë marrë pjesë vetëm dy konkurrentë, bashkimi i operatorëve “Infosoft System” dhe “ikubINFO” me vlerë të ofruar 31.836.408 lekë të reja pa TVSH dhe “Smart ICT Services” me vlerë të ofruar 33.360.000 lekë të reja pa TVSH.
Vihet re se vlerat e ofruara nga dy konkurrentët janë thuajse identike me një diferencë të vogël. Ky fakt ngre dyshime se tenderi mund të mos jetë i rregullt dhe se fituesi ka qenë i paracaktuar. Fitues është shpallur bashkimi i kompanive “Infosoft System” dhe “ikubINFO” pas të cilave qëndron Grigor Joti. Nga ana tjetër nëse krahasojmë vlerën fituese me fondin limit, shihet gjithashtu se diferenca mes tyre është mjaft e vogël. Më konkretist rezulton se vlera fituese është sa 94.75% e këtij fondi. Edhe ky fakt konsiderohet gjithashtu i dyshimtë dhe përforëcon mendimin se fituesi mund të ketë qenë i paracaktuar.