Mëngjesin e djeshëm Lushnja u trondit nga një shpërthim me tritol në dyqanin e Arjan Aliços, ish-pjesëtar i bandës së Aldo Bares, i cili sot ndodhet në burg. Sasia e lëndës plasësëse që ishte vendosur ditën e djeshme në pjesën e jashtme të një dyqani në pronësi të Aliços shkaktoi vetëm dëme materiale. Ndërkohë që edhe në vitin 2018, banesa e Arjan Aliços ka qenë nën shënjestrën e sulmeve, pasi më 30 janar të atij viti, persona të paidentifikuar qëlluan me breshëri plumbash në drejtim të banesës së Aliços, ku plumbat arritën deri në brendësi, por fatmirësisht pa dëmtuar njeri.
Por emri i Arjanit nuk është aq i panjohur për policinë, pasi ai është arrestuar në Tiranë në shkurt të vitit 2009, gjatë operacionit të koduar “I fundit”, që mori këtë emër për shkak se Aliço ishte anëtari i fundit i bandës së Lushnjës. I njohur si “Polici” i Aldo Bares, Arjan Aliço u arrestua në mesnatë, në shtëpinë e tij në kryeqytet, ku jetonte me qira. Ka qenë e dashura e Aliços ajo që ka çuar Policinë në gjurmët e tij, edhe pse kishte gati 3 vite në survejim. Vajza, e cila ka qenë duke u kthyer nga Lushnja për në Tiranë, është ndjekur deri në shtëpinë ku ajo jetonte me Aliçon.
Policia bëri të ditur se arrestimi i Aliços u bë pasi Gjykata e Krimeve të Rënda më datë 21 prill 2006 kishte nxjerrë ndaj tij masën e sigurimit “Arrest me burg”, për veprat penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale”, “Vjedhje me dhunë” dhe “Dhunimi i varreve”. Ndërkohë ende nuk janë siguruar prova të mjaftueshme për vrasje të kryera nga Aliço, edhe pse ka dyshime për ngjarje të tilla të kryera si “porosi” të lëna nga shefi i tij Aldo Bare. Operacioni i koduar “I fundit” ishte pjesë e operacionit “Laguna” për arrestimin e anëtarëve të bandës kriminale të Lushnjës, i cili është zhvilluar në vitin 2007 në Karavasta.
Ndërkohë që në vitin 2016, pas ndeshjes Shqipëri-Zvicër, në një pikë bastesh Arjan Aliço ka qëlluar mbi 10 herë me thikë Julian Sulën. Julian Sula dhe djali i Arjanit, Xhino Aliço janë përfshirë në një debat për shkak të ndeshjes mes Shqipërisë dhe Zvicrës gjatë Europianit të vitit 2016. Asokohe policia arrestoi Arjan Aliçon dhe shpalli në kërkim djalin e tij, Xhino Aliçon. Djali i Arjan Aliços u ekstradua para pak ditësh nga Kroaciia pasi është dënuar nga Gjykata e Lushnjës me 13 vjet e 6 muaj burg për veprën penale “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim mbetur në tentativë.