Falsifikonin testin e Covidit/ Agjensia e udhëtimit ‘bingo’ me shqiptarët, u merrte 600 euro për në Gjermani

Shkruar nga: G Hasani | Publikuar më: 27.01.2021, 08:58

Me dhjetra raste janë denoncuar në redaksinë e JOQ ALBANIA, për kompani të cilat në këmbim të shifrave të larta eurosh, duke përfituar nga pandemia COVID, gënjejnë shqiptarët se do i kalojnë në vendet e Europës. Mirëpo vetëm sot, policia ka bërë të mundur arrestimin e disa personave që punonin për një kompani të tillë. Lidhur me arrestimet, denoncimi është bërë në një emision televiziv.

4 persona janë vënë në prangat e Policisë së Tiranës, pasi u kanë marrë nga 600 euro qytetarëve, me premtimin që do ti dërgonin pa probleme drejt Gjermanisë. Gjithashtu personat akuzohen se u kanë falsifikuar dhe testin e Covid të gjithë udhëtarëve që kërkonin të shkonin në Gjermani, një pjesë e të cilëve janë braktisur rrugës, pa mundur që të mbërrijë në destinacion.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Shtegtimi”. Operacioni i finalizuar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Arrestohen në flagrancë 4 shtetas.

Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative dhe elektronike, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Shtegtimi”, si rezultat i të cilit është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

E. V., 34 vjeç, G. K., 44 vjeçe, K. Ç., 32 vjeçe dhe P. C., 37 vjeç, të katërt banues në Tiranë, me aktivitet tregtar biznes privat agjenci udhëtimi.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke përfituar nga situata e pandemisë ‘’COVID-19’’, nëpërmjet kamuflimit, për t’u mundësuar udhëtarëve të ndryshëm vajtjen në vendet e BE-së, kryesisht në Gjermani, kanë përfituar shumën 600 euro për person, duke shmangur detyrimet tatimore, si dhe kanë falsifikuar formularë të testit ‘’COVID-19’’ dhe garanci të destinacionit të vendit pritës.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi“, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit