Duket se tenderat në shëndetësi janë një nxitës mjaft i mirë për të tërhequr kompanitë e ndryshme të marrin pjesë. Lek i madh bëhet jo vetëm me medikamentet, pajisjet mjekësore apo mjetet mbrojtëse anti-covid, por një llokmë mjaft e mirë rezulton të jetë edhe oksigjeni.
Dhe njëra prej kompanive e cila ka përfituar një thelë të mirë nga oksigjeni, është Messer Albagaz. Nga të dhënat aktuale rezulton se kompania administrohet nga shtetasi Vladimir Vladimirov dhe është në pronësi të firmës ruse MESSER TEHNOGAS që ka 100% të aksioneve. Ndërkohë rezulton se në këtë firmë ka qenë administrator gjatë periudhës 2011-2015 shtetasi shqiptar Ardian Strazimiri.
Janë një sërë tenderash që kjo kompani ka përfituar nga spitalet e vendit vetëm në lidhje me oksigjenin dhe që të gjitha të cilësuara si “flamur i kuq”, pra të dyshimta. Shënimi me flamur të kuq (red flag) i një procedure prokurimi tregon një ekspozim apo rrezik të mundshëm për sjellje të papajtueshme me ligjin ose jo-etike të biznesit, kryesisht në lidhje me mos-respektimin e ligjeve anti-korrupsion.
Kështu vetëm në 4 vitet e fundit kjo kompani ka përfituar në mënyrë të çuditshme 13 tendera në një vlerë të përgjithshme prej rreth 1.4 miliardë lekë të vjetra pa TVSH. Të gjithë këto tendera janë cilësuar si të dyshimtë, pra me flamur të kuq. Duket e pabesueshme se si një kompani ruse mund të fitojë gjithë këto tendera të dyshimtë nëse nuk do të kishte pas vetes dikë të fuqishëm nga politika shqiptare. Ju si mendoni, cili mund të jetë?