Pas aksidentit të rëndë që ndodhi në afërsi të ambasadës italiane në Tiranë, ka ardhur edhe një sqarim nga blutë. Kujtojmë që një makinë që drejtohej nga Stiverjan Dashi, përplasi një automjet tjetër që po lëvizte sipas rregullave të qarkullimit rrugor. Themi kështu pasi Dashi po qarkullonte në rrugë me një shpejtësi prej rreth 150 km/orë, shpejtësi kjo tej masave të lejuara. Nga kjo shpejtësi shpëtuan nga vdekja brena një sekonde të frikshme dy kalimtarë të rastit. Sipas raportimeve, autori i aksidentit është i afërmi i kreut të OFL-së, teksa ky artikulim u hodh poshtë nga policia e cila e përgënjeshtroi lajmin. Ndërkohë gjatë ditës së sotme, policia ka deklaruar se autori i aksidentit nuk është favorizuar, por është gjobitur me 15 mijë lekë të reja.
Njoftimi i plotë:
Policia e Shtetit – Sqarim
Në lidhje me lajmin e publikuar në disa media përgjatë ditëve të fundit, për një aksident rrugor të ndodhur në kryqëzimin e rrugës “Papa Gjon Pali II” me rrugën “Ismail Qemali”, ku shtetasi S.D., duke vazhduar lëvizjen me mjet gjatë kohës që semafori ishte me dritë të kuqe dhe është përplasur me mjetin tip “Skoda Rapid”, me drejtues shtetasin D.T. dhe pasagjer shtetasin A.M. e për pasojë u dëmtuan 2 shtetas, jashtë rrezikut për jetën, sqarojmë opinion publik se:
Drejtuesi i mjetit që shkaktoi aksidentin rrugor nuk është i afërm i ndonjë zyrtari drejtues në Policinë e Shtetit dhe nuk është favorizuar në asnjë moment nga asnjë zyrtar policie.
Stukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në lidhje me këtë ngjarje kanë kryer të gjitha veprimet procedurale dhe materialet janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme, në ngarkim të qytetarit S.D.
Njëkohësisht, Policia Rrugore e Tiranës ka kryer të gjitha veprimet administrative.
Njoftimi për aksidentin rrugor është pasqyruar në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit, në përmbledhjen ditore të ngjarjeve që publikohet, si çdo ngjarje tjetër pa pasoja fatale.
Linku ? https://ëëë.asp.gov.al/raporti-ditor-i-ngjarjeve-policia.../
Policia e Shtetit garanton qytetarët se është tërësisht e angazhuar për të luftuar krimin dhe zbatuar ligjin dhe vetëm ligjin, ndaj fton median që për çdo rast të kërkojë informacion zyrtar pranë strukturave përgjegjëse për dhënien e informacionit.