Prej disa ditësh tanimë në vendin tonë ka nisur procesi i vaksinimit me vaksinën Pfizer-BionTech. Ashtu siç është thënë edhe më parë procesi i vaksinimit ka nisur me grupin më të riskuar për tu infektuar me Covid-19, grupin e mjekëve, infermierëve dhe epidemiologëve. Por të gjithë duan të dinë se kur do të fillojë vaksinimi për grupet e tjera të popullsisë. Sipas Panorama.al, Ministria e Shëndetësisë ka një plan për mënyrën sesi do të vaksinohet pjesa tjetër e popullatës.
A. Grupi i parë prioritar janë punonjësit shëndetësorë. Këta punonjës do të prioritizohen sipas fazave të sigurimit të vaksinës.
• A1. Në fazën e parë do të jenë punonjësit shëndetësorë të vijës së parë, pra ata që shërbejnë në spitalet COVID dhe në urgjencat dhe shërbimin e reanimacionit të spitaleve dhe kanë kontakt të ngushtë me pacientët, personeli i cili kryen marrjen e mostrës dhe testimin, personeli që kryen hetimin dhe gjurmimin në terren.
• A2. Në fazën e dytë do të jenë punonjësit e tjerë shëndetësorë dhe socialë, të cilët shërbejnë pranë strukturave shëndetësore.
B. Personat e moshuar dhe ata me probleme të shumta shëndetësore. Në këtë grup futen personat mbi 65 vjeç, personat që jetojnë në shtëpitë e pleqve apo institucione të kujdesit afatgjatë, personat me sëmundje bashkëshoqëruese dhe obezët.
• B1. Në fazën e parë do të vaksinohen të gjithë personat që jetojnë në shtëpitë e të moshuarve dhe institucione të kujdesit shëndetësor dhe social afatgjatë.
• B2. Në fazën e dytë do të vaksinohen personat e moshuar ku fillimisht do të vaksinohen ata mbi 90 vjeç dhe me pas mbi 80 vjeç, mbi 70 vjeç dhe mbi 65 vjeç pavarësisht sëmundjeve bashkëshoqëruese.
• B3. Në këtë fazë do të vaksinohen personat nën 65 vjeç me probleme të ndryshme shëndetësore dhe ata obezë ku prioritet do t’u jepet atyre të cilët kanë më shumë se një sëmundje.
• B4. Në varësi të sasisë së vaksinave në këtë fazë do të vaksinohen edhe punonjës të shërbimeve kritike për shoqërinë, si p. sh., mësues, edukatorë, forcat e rendit, punonjës të shërbimit elektrik dhe ujësjellësit e kanalizimeve, forcat zjarrfikëse, punonjës të telekomit apo transportit publik etj.
C. Në fazën e tretë do të vaksinohen të gjithë personat e grupeve te mësipërme të fazës së dytë që nuk kanë arritur të vaksinohen. D. Dhe në fazën e katërt do të vaksinohet e gjithë popullata, pavarësisht sëmundjeve bashkëshoqëruese.