Lajmi bëri bujë të madhe! Ministrat e ‘Rilindjes’ të ulur në tavolinën luksoze duke konsumuar biftekun ‘golden’, ashiqare, me taksat e shqiptarëve, me gratë me vete dhe me buzëqeshjen në fytyrë që dukej sikur thoshin, “lum ne për shqiptarët”. Shumë qytetarë shqiptarë u revoltuan, kur panë me sytë e tyre sesi, emra që nuk kanë bërë asgjë për Shqipërinë, shqyejnë mishin e gatuar nga Nusreti, me paratë që paguajnë ditë për ditë dhe muaj për muaj si taksapagues të rregullt.
Mirëpo, ky revoltim, nuk ishte aq i madh sa të jepte një mësim se ku duhet të shkojnë paratë e shqiptarëve dhe si duhet të dënohen ata që abuzojnë në këtë mënyrë. Lidhur me këtë mosreagim ka shumë arsye, por ajo që është më kryesorja dhe i mposht të gjitha, është përgjumja dhe bisedat rrëzë veshit të opozitës së Lul Bashës, mikut të ngushtë të Edi Ramës, që me qetësinë e tij është duke i hapur rrugën drejt mandatit të tretë këtij të fundit.

Rilindasit, në një farë mënyre, e quanin festë për mandatin e tretë darkën luksoze tek Nusreti, pasi e dinë se kë kanë përballë dhe për më tepër janë më në brendësi të bisedave rrëzë veshit që jo pak persona flasin për një bashkëpunim. Lul Basha, u mjaftua me disa postime, video-montazhe dhe disa sponsorizime në Facebook. Sipas tij, këto “ishin” armët e vetme për t’u treguar shqiptarëve se çfarë ndodh me pushtetarët tanë, por ato nuk ishin aspak serioze dhe zyrtare. Postimet dhe sponsorizimet e tij u përdorën vetëm si MEME dhe për të qeshur brenda grupit demokrat.
E gjitha kjo na paraqet një tablo tjetër të fjalës opozitë, që e ajo e Bashës nuk ka as karakteristikat më të vogla. Ndër të tjera na e forcon më tepër dyshimin se mes PS dhe PD ka një bashkëpunim për të qeverisur bashkë, edhe pse pushtetin e ka një parti. Përgjumja e një opozite nuk mund të justifikohet vetëm me përgjumjen e Liderit, pasi vetë në tërësi Partia Demokratike është shumë më e madhe.
Prandaj dhe pyetja e shqiptarëve, deri në 25 Prill apo edhe më herët është dhe do të jetë: A ka marrëvjeshje PS-PD për qeveri të përbashkët?