Ditën e sotme nxënësit e shkollave të arsimit të ulët dhe të mesëm në vend janë rikthyer në bankat e shkollës pas pushimeve të festave të fundvitit dhe një jave të shtyrë nga Ministria e Arsimit dhe Komiteti Teknik i Ekspertëve për shkak të pandemisë. Por ditën e sotme nuk janë rikthyer të gjithë pasi ende mbetet në fuqi për zhvillimin e mësimit në dy pjesë online dhe në shkolla. Por jo vetëm kaq, në qytetin e Lezhës në fshatin Malecaj, 44 fëmijë dhe mësues në Ungrej kanë hasur vështirësi prej rrugëve të përmbytura apo shembura, duke rrezikuar për të shkuar në shkollë. Ndërsa dy shkollat e qarkut Elbasan nuk janë hapur sot për të mirëpritur nxënësit pasi ato janë konsideruar si të pasigurta dhe me rrezik. Bëhet fjalë për një shkollë në Njësinë Administrative Labinot Fushë që nuk zhvillon mësim pasi ka dëmtime të çatisë e për rrjedhojë futet uji brenda, ku fëmijët pasi kanë shkuar në shkolla janë detyruar të largohen dhe për këtë janë përdorur kamionët pasi oborri i shkollës ishte mbushur me ujë. Shkolla tjetër është në Njësinë Kushove, Gramsh pasi prurjet e shumta të përroit përbëjnë rrezik për kalimin në shkollë. Ndërsa në disa fshatra të vendit ku mungon energjia elektrike shumë nxënës e kanë patur të vështirë të ndjekin mësimin online. Në këtë mënyrë dalin në pah problematikat e shumta që infrastruktura e zhvillimit të arsimit ka në vendin tonë.
