Disa çaste më parë janë publikuar disa detaje të reja në lidhje me zhdukjen e dy vajzave të mitura për 4 ditë. Kujtojmë se 16-vjeçaret në praninë e një psikologeje pretenduan se u larguan me dëshirën e tyre nga shtëpitë e tyre për shkak se prindërit nuk i silleshin mirë, ndërsa theksuan se nuk i ka detyruar asnjë person tjetër që të largoheshin. Ndërkohë, tashmë janë publikuar disa detaje të reja ku sipas disa burimeve të sigurta për Faxweb bëhet me dije se të dy palët e prindërve të të miturave janë familje problematike. Çiftet përkatëse janë të divorcuara secili, madje nëna e Kejsit është ndarë dhe martuar disa herë, ndërkohë tashmë jeton me dikë që nuk ështrë babai i të miturës. Sipas burimeve, vajzat janë dërguar në një qendër të kujdesit social (OJF) në Tiranë dhe do të qëndrojnë aty mbase edhe për një periudhë të gjatë në varësi të kushteve në familjet përkatëse. Vlen të theksohet se ka pasur edhe denoncime nga ana e familjarëve të vajzave për konflikte dhe mosmarrëveshje, ndërsa hetimet kanë zbuluar se të miturat keqtrajtoheshin nga prindërit. Hetimet vijojnë për të mbledhur të dhëna dhe fakte që nëse gjendet e arsyeshme, të ngrihet edhe akuzë ndaj tyre. Ndërkohë, vajzat kanë refuzuar të kthehen tek prindërit me frikën e përsëritjes së dhunës.