Sipas studimeve të fundit të astrofizikanëve, disa vrima të zeza supermasive në qendër të galaktikave mund të jenë në të vërtetë "vrima krimbi" që lidhin së bashku dy pjesë të largëta të Universit. Në Teorinë e tij të Relativitetit të Përgjithshëm, Albert Einstein parashikoi ekzistencën e "vrimave të krimbave", të cilat lidhin dy pika në hapësirë ose kohë, por ato ende nuk janë zbuluar. Ndërkohë ekspertët nga Observatori Astronomik Qendror në Rusi besojnë se 'vrimat e zeza' në qendër të disa galaktikave shumë të ndritshme (të njohura si bërthamat aktive galaktike ose AGN) mund të jenë hyrjet e këtyre "vrimave të krimbave".

"Vrimat e krimbave" dhe vrimat e zeza janë shumë të ngjashme, pasi janë jashtëzakonisht të dendura dhe posedojnë tërheqje jashtëzakonisht të forta gravitacionale për trupat e madhësisë së tyre. Dallimi është se asgjë nuk mund të dalë nga një vrimë e zezë pasi të kalojë 'horizontin e saj të ngjarjes', ndërsa çdo trup që hyn në 'gojën' e një vrime krimbi, do të dilte teorikisht nga 'goja' e tij diku tjetër në univers.

Burimi: Daily Mail |Përktheu dhe Përshtati: JOQ Albania