Oligarku Rrok Gjoka i “Gjoka Konstruksion” po shkatërron mjedisin

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 19.12.2020, 20:06

Banorët e fshatit Shkallë të Bashkisë Klos, nga i cili kalon kalon Rruga e Arbrit janë të shqetësuar nga veprimet e kompanisë që po ndërton këtë segment. Kompania në fjalë, po shkatërron mjedisin duke gërryer shpatin e malit. Shqetësimi i banorëve për firmën ndërtuese “Gjoka Konstruksion” qëndron te nxjerrja e inerteve nga shpati i malit në afërsi të banesave të tyre. Këta të fundit thonë se nga gërmimet dhe shpërthimet me dinamit, po prishet peisazhi i kësaj zone që me ndërtimin e rrugës do jetë shpresa për turizëm dhe ekonominë rurale. Por, nga gërmimet jo vetëm prishet peisazhi, por ndotet edhe mjedisi duke lënë inertet e padëshiruara në rrugë. Banorët shprehen se kanë denoncuar rastin në Bashki, polici dhe inspektoriat por asnjë nuk i është përgjigjur thirrjeve të tyre. Vlen të theksohet se denoncimin në rrjetet sociale e ka bërë Abdulla Diku, ekspert mjedisi, i cili ka qenë zë kundër ndërtimit të HEC-eve në Valbonë.

Më konkretisht, ky i fundit ka shkruar se:

Si të shkatërrojmë jetën e një fshati! Ky është fshati Shkallë në Nj. Ad. Xibër, bashkia Klos. Është ndër fshatrat më të vjetër në vendin tonë. Aty afër, gjendet “shpella e shkruar”, me piktograma 3000-4000 vjeçare. Edhe kalaja ilire, apo ‘maja e qytezës’ gjenden mbi fshat. Përballë, gjendet kalaja e Petralbës, rezidenca verore e Skënderbeut. Rruga e Arbrit i kalon përmes fshatit. Tani që po bëhet rruga, turizmi shihet si mundësia e vetme ku banorët mund të mbijetojnë. Por nuk është e thënë....Kompanisë “Gjoka” që po ndërton rrugën, i ka pëlqyer guri e zhavorri në malin e fshatit dhe është hedhur në sulm. Kuptohet që nuk ka nevojë për leje. Kanë filluar shpërthimet me dinamit. Ato pak burime ujore do thahen e banesat kanë filluar të dridhen fort. Pasojat te asetet historike nuk llogariten fare, fundja kush ka më shumë rëndësi; historia mijëra vjeçare apo fitimi për kompaninë?! Gurorja e re nuk ka lidhje fare me rrugën e arbrit pasi është larg prej sajë. Banorët shqetësohen me të drejtë. Vraga e hapur në mal e një dite pune duket kilometra larg tani. Nga ana tjetër, kompania gurët dhe zhavorrin që gërryen përgjatë ndërtimit të rrugës e hedh pa asnjë problem nën rrugë dhe nuk i përdor ato. Leja e mjedisit apo leja për guroren nuk duken asgjëkundi (sepse nuk mund të jepet leje e tillë vetëm 100 metra larg shtëpive)! Dje banorët po telefonin policinë, por të gjithë numrat dilnin rastësisht “të padisponueshëm”. Inspektoriatet dhe Bashkia po ashtu! Ligji dhe maliqi është vetëm kompania.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit