John Gilbert Getty, 52-vjeçari trashëgimtar i pasurisë prej 5 miliardë dollarësh të dinastisë Getty është gjetur i vdekur. Ky i fundit është gjetur pa ndjenja në një hotel në Teksas. Gilbert ishte një nga shumë pasardhësit e J. Paul Getty, manjati i naftës i cili dikur ishte njeriu më i pasur i botës. Familja e tij publikoi një deklaratë ku konfirmohet vdekja e tij, ndërkohë që 52-vjeçari la pas të bijën, Ivy Getty. Familja Getty, e cila dikur ishte më e pasura në Amerikë falë biznesit të naftës, është goditur jo pak herë nga ngjarje misterioze.
Vëllai i John, Andrew, u gjet i vdekur në shtëpinë e tij në Los Angeles, gjashtë vite më parë. Mediat e huaja raportonin se ishte vrarë, por hetimet zbuluan se vdekja e tij nuk ishte akt kriminal. Një vëlla tjetër i tyre ndërroi jetë pasi ishte prekur nga kanceri, kurse kunata e John vdiq për shkak të mbidozës së heroinës. Një tjetër histori tronditëse e kësaj familje ndodhi në vitin 1973. Një nip i J. Paul Getty, njeriu që nisi biznesin fitimprurës, u rrëmbye nga gangsterët italianë.
Ata kërkuan 14 milionë dollarë, por Getty refuzoi. Ai tha se nëse do paguante për të, do i rrëmbenin edhe 14 nipat e mbesat e tjerë. Nipi i tij u lirua, pasi familja pagoi 4 mln dollarë, por atij iu pre veshi dhe iu dërgua një gazete italiane. Kjo histori është bërë edhe film.
Burimi: www.dailymail.co.uk| Përktheu dhe përshtati: JOQ ALBANIA