Policia e Shtetit është përplasur ditën e sotme me një bukinist, i cili shet libra në rrugët e kryeqytetit, pikërisht tek Liceu Artistik. Policia e Bashkisë së Tiranës shquhet për “kapjen” e shitësve ambulantë dhe ndalimin e këtij aktiviteti “kriminal”. Këtë herë nën sulmin e policisë ka rënë një shitës librash. Madje Policia Bashkiake e Tiranës ka ndaluar dhe disa prej muzikantëve që këndojnë në rrugët e Tiranës me arsyetimin se është biznes i paligjshëm.
Një video është publikuar sot në rrjetet sociale ku shfaqet Policia Bashkiake që i ndërpret aktivitetin një bukinisti të moshuar. Në video dëgjohet edhe burri i moshuar që shet libra, duke u shprehur se “i ka dërguar qeveria që të mos hamë bukë ne”. Sakaq ndaj rezistencës që bën bukinisti, Policia i kundërpërgjigjet duke i thënë se shitja e librave në rrugë është e paligjshme. Përgjigja që burri i moshuar i jep është goditëse. Ai i drejtohet policit duke i thënë se “këta edhe shqiptarin e kanë nxjerrë të paligjshëm”.
Deri më tani kemi parë Policinë Bashkiake të ndalojë gra që shesin perime, muzikantët e rrugëve, e këtë herë sulmi i radhës duket se kanë qenë librat. Ironik është fakti se Policia e Lleshit shqetësohet për shitjen e librave dhe nuk i bën kurrfarë përshtypje rritja e kriminalitetit në vend, për të cilin ai vetë është shprehur se “ka vende në Europë që e kanë nivelin e krimit edhe me të lartë, mos u trembni se ndodhën dy vrasje brenda javës”.