Sipas një studimi të revistës “E Clinical Medicine”, njerëzit me ngjyrë preken më shumë se të tjerët nga Covid-19. Ky studim nënvizon se njerëzit me ngjyrë kanë dy herë më shumë gjasa se të bardhët për t’u infektuar nga koronavirusi. Studimi në fjalë ka marrë në shqyrtim të dhëna nga 18 milionë njerëz. Studimi i revistës publikohet nga Lancet dhe ndër të tjera vëren se po ashtu aziatikët kanë 1.5 herë më shumë gjasa se të bardhët për t’u infektuar.
Studimi në fjalë është kryer në bashkëpunim me studiuesit e universiteteve Leicester dhe Nottingham. Ata grumbulluan të dhëna nga tetë studime në Mbretërinë e Bashkuar dhe 42 të tjera në Shtetet e Bashkuara. Sipas tyre gjetjet e këtij studimi kanë një rëndësi urgjente për shëndetin publik.
Ndër të tjera studimi nxjerr në pah se ka pasur disa dëshmi se njerëzit që u përkasin pakicave etnike, janë në rrezik më të madh nga koronavirusi, por arsyet nuk janë kuptuar ende plotësisht. Dr Manish Pareek, i cili është edhe autori kryesor i studimit në fjalë, u shpreh se ka pak prova që tregojnë se rreziqet rrjedhin nga faktorët gjenetikë.
“Njerëzit që u përkasin pakicave etnike, kanë më shumë të ngjarë të punojnë në vijën e parë të frontit dhe të jetojnë në familje të mëdha”, është shprehur Pareek.
Sakaq studiuesja tjetër e këtij studimi, dr Shirely Sze u shpreh se duhet të punohet për të minimizuar ekspozimin ndaj virusit të këtyre grupeve etnike.
“Ne duhet të punojmë për të minimizuar ekspozimin ndaj virusit të këtyre grupeve në rrezik, duke ua lehtësuar qasjen në burimet e kujdesit shëndetësor”, tha dr Shirley Sze.
Ndërkohë sa i takon Covid-19 dhe përhaprjes së tij nëpër botë, ai ka prekur mbi 52 milionë njerëz në të gjithë botën. Prej tyre, mbi 1.2 milion kanë vdekur, ndërsa mbi 34 milionë janë shëruar. Shtetet e Bashkuara janë vendi më i prekur në botë, me mbi 10.4 milionë të infektuar dhe mbi 241,000 viktima.
Burimi: The Lancet | Përktheu dhe Përshtati: Joq Albania