Në kuvend ka nisur puna, teksa mësohet se është protokolluar drafti i ligjit që shpall ujërat që lagin zonën e Sarandës dhe Himarës. Ky ligj njihet si historike dhe ka një ndikim të madh në paktin e ujërave me shtetin grek. Paraqitja e draftit në kuvend, u bë nga deputeti i opozitës parlamentare Kostaq Papa. Në fakt depozitimi i këtij drafti është bërë para një muaji, por Papa e tërhoqi për ripërpunim.
Ndërkohë sipas gazetës "Shqip", ligji ka për qëllim shpalljen e ujërave të detit të Gjirit të Sarandës, Butrintit, Ksamilit, Himarës, Borshit, Qeparoit dhe Palasës, Ujëra të Detit të ‘Gjireve Historike’ të Republikës së Shqipërisë dhe përfshirjen e tyre në Ujërat e Brendshëm. Gjithashtu neni 1 i draftit, thekson se Ujërat e Brendshme të Republikës së Shqipërisë, janë ujërat e detit në drejtim të tokës, nga vija bazë nga ku fillon të matet gjerësia e Ujërave Territorial të Republikës së Shqipërisë dhe kjo sipas nenit të 8 të Konventës së Detit të vitit 1982, ratifikuar në vitin 2003.