Siç ka mbiemrin, ashtu po bën edhe lekët. Gonxhe. Madje njëra pas tjetrës. Vetëm pak ditë më parë një super gafë e tij pushtoi të gjitha mediat. Blendi Gonxhja bëri fajtorë prindërit e vogëlushit 10-vjeçar që iu këput jeta pa filluar ende nga një ambulancë e shtetit që ecte me shpejtësi tepër të madhe. Dyshimet janë që ambulanca transportonte njerëz pa rradhë për të kaluar kufirin kundrejt pagesës. Pavarësisht kësaj, Blendi Gonxhja për turp të institucionit shtetëror që drejton, deklaroi publikisht se fajin e kishin prindërit e fëmijës. Gafa e tij ishte aq e madhe saqë edhe mediat e blera nga Rilindja nuk u përmajtën dot dhe e masakruan, aq sa disa orë më pas ai u detyrua ta fshinte fare statusin e tij.
Mirëpo rezulton se pasi bëri këtë gafë, Blendi Gonxhja nuk e harroi as pasionin e tij të vjetër. Futjen në xhep të parave publike. Madje në mënyrë aq të hapur, pa e prishur aspak terezinë. Kështu rezulton se Gonzhja ka hapur një procedurë tenderi për të blerë maska, prapë. Bëhet fjalë për tenderin me objekt “ Blerje maska për punonjësit e DPSHTRR, 14 Drejtorive Rajonale në varësi të saj dhe Task-Forcës, që ofrojnë shërbime për qytetarët” – Marrëveshje Kuadër me një operator ekonomik – ku të gjitha kushtet janë të përcaktuara, për një afat 16 muaj.
Nëpërmjet këtij tenderi, Blendi Gonxhja planifikon të harxhojë jo pak, por plot 208 milionë lekë të vjetra me TVSH. Nuk kuptohet se përse duhet të shpenzohen këto qindra miliona për të blerë maska, në një kohë që fare mirë mund të blihen me një kosto shumë më të ulët maska disa përdorimshe prej cope. Por kuptohet që pyetja jonë është tepër naive dhe retorike. Maskat janë “sebepi” pasi milionat do të përfundojnë duke u bërë gonxhe në xhepat e dikujt. Hë, e gjeni dot për kë e kemi fjalën?