Sipas të dhënave zyrtare, numri i rasteve me koronavirus në vendin tonë është rritur në mënyrë drastike gjatë ditëve të fundit, duke gjeneruar shifra të cilat nuk i kishim gjatë izolimit.
Ministria e Shëndetësisë konfirmoi sot 82 raste, e cila përbën shifrën më të lartë infektimeve ditore që prej shpërthimit të epidemisë në vendin tonë.
Prej disa ditësh, rastet e reja të Covid-19 po pësojnë rritje, ndërkohë që këto shifra duket se kanë krijuar edhe pikëpyetje të mëdha te qytetarët.
Në redaksinë tonë kanë mbërritur mesazhe të panumërta, ku qytetarët janë shprehur mosbesues dhe skeptik ndaj shifrave që publikon qeveria mbi të dhënat e koronavirusit.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama në një dalje publike paralajmëroi se nëse ky trend rritës do të vijojë, mund të kthehet sërish karantina.
Po ashtu, Rama kërcënoi me burg të gjithë ata që organizojnë protesta gjatë këtyre ditëve, duke qenë se ditët në vijim janë planifikuar të zhvillohen edhe disa tubime, siç është edhe protesta e thirrur nga avokati Altin Goxhaj më 25 qershor para Parlamentit.
JOQ Albania zhvilloi një ditë më parë një sondazh për të krijuar një perceptim më të qartë të mendimit të qytetarëve rreth shifrave të publikuara nga qeveria.
Pyetja e sondazhit ishte:
Nga mbi 40,800 qytetarë që morën pjesë në sondazh, 81% e tyre nuk u besojnë shifrave të qeverisë për Covid-19 në vend, ndërsa vetëm 19% e qytetarëve mendojnë se të dhënat e publikuara nga autoritetet janë të sakta e të besueshme.
Kjo shifër e lartë e qytetarëve skeptikë, tregon që populli nuk ka më besim te informacionet e servirura nga qeveria, e cila jo në pak raste e ka dëshmuar se është e aftë të përdorë çfarë do lloj situate në interesin e saj.