Vitet e fundit Shqipëria është kthyer në një vend pritës për shumë azilkërkues kryesisht nga Lindja e Mesme
Në Babrru është ndërtuar Qendra Kombëtare Pritëse për Azilkërkuesit, e cila strehon qindra emigrantë.
Por, kjo gjë është kthyer në shqetësim për banorët e zonës, pasi ata shpesh përballen me sulme dhe vjedhje nga ana e të rinjve që qëndrojnë aty.
Ata e kanë shprehur shqetësimin e tyre në një intervistë për ABC news, dhe thonë se janë detyruar të izolojnë dyert dhe dritaret e tyre me tela me gjemba.
“Është tmerr të na dalin gratë dhe fëmijët në rrugë. Mbrëmë na kanë vjedhur tre telefonat e fëmijëve dhe një lap-top. Ku t’i gjej unë që t’u marrë fëmijëve 1 milionë lekë tani telefonat. Le t’i marrin e t’i çojnë te “Mali me Gropa”, ç’na i lënë akoma këtu. Edhe policët vijnë i marrin e i sjellin prapë këtu. “S’kemi ç’u bëjnë” thonë. Kemi frikë. Hajduti të vret në gjumë. Ne kemi qenë vetë refugjatë, këta nuk janë refugjatë, këta janë kamikazë”, thotë një banor.
“Ne kemi gati dy vite që natë për natë nuk bëjmë gjumë. Edhe roje kufiri të isha në kohën e Enverit a në kohën e Monizmit, nuk e besoj se do rrinte ushtari kaq në gatishmëri sa po rrimë ne. Po e bëjmë gjumin me turne, dy orë një djalë, dy orë tjetri, dy orë gruaja e dy orë unë. Janë mbi 30 shtëpi këtu që na kanë mbytur, na kanë marrë fytyrën e nuk po qëndrojmë dot më në shtëpitë tona. Na vjedhin atlete, rroba, tapepe, çfarë të gjejnë i marrin e i shesin”, thotë një tjetër banor i Babrrusë.
“Është e frikshme sa ne nuk po rrimë dot në shtëpitë tona. Duhet vetëm të mbyllim dyert me hekura e penxheret e çdo gjë tjetër se na vijnë ata. Na vjedhin çfarë të gjejnë përpara, këpucë e veshmbathje që ne i thajmë përjashta. Jemi detyruar t’i marrim këpucët e t’i fusim brenda”, shprehet një tjetër. “Natën unë vija në 9 të darkës nga goca në shtëpi. Tani nuk vij dot sepse kam shumë frikë nga këta. Ata janë grupe-grupe. Aty rrinë e flenë jashtë” shtoi një tjetër