Siç dihet prej kohësh dhe siç faktet kanë treguar, institucionet shtetërore nuk shërbejnë për asgjë tjetër veçse për të bërë qoka në formë tenderash ndaj “miqve” të qeverisë. Madje jo vetëm kaq por edhe kur këto tendera janë të dyshimtë, ata përsëri i realizojnë.

Kështu OSHEE i ka dhënë kompanisë INTERSIG VIENNA INSURANCE GROUP dy tendera për siguracione makinash në vlerë totale rreth 100 milionë lekë të vjetra. Të paktën njëri prej tyre, ai me referencë REF-52953-03-04-2020, është cilësuar si i shënuar me flamur të kuq nga Open Procurement Albania.

Shënimi me flamur të kuq (red flag) i një procedure prokurimi tregon një ekspozim apo rrezik të mundshëm për sjellje të papajtueshme me ligjin ose jo-etike të biznesit, kryesisht në lidhje me mos-respektimin e ligjeve anti-korrupsion. Vlerësimi për këto kategori rezlizohet në mënyrë automatike, me filtra analitik të paracaktuar.
Siç dihet, OSHEE është shoqëri aksionare dhe aksionet e saj, janë 100% në pronësi të Shtetit Shqiptar. Nëse shohim të dhënat e tenderit, vërejmë se procedura e prokurimit është “Kerkese per Propozim”.
Ky term nënkupton atë procedurë, me anë të së cilës autoriteti kontraktor kërkon oferta nga një numër i kufizuar operatorësh ekonomikë të përzgjedhur prej tij, por pranon edhe oferta të paraqitura nga operatorë të tjerë ekonomikë, të interesuar.
Një fakt ky që të bën të mendosh se konkurrenca ka munguar. Dhe pikërisht nëse i rferohemi njoftimit të fituesit shikohet se ka marrë pjesë vetëm kjo kompani.

Kompania në fjalë rezulton se ka 3 administratorë, përkatësisht Fitnete Sulaj, Fatmir Berdica, Gentian Sula, ku ky i fundit është edhe pronari i vetëm shqiptar me 10% të aksioneve, pasi 90% i zotëron kompania mëmë nga e cila ka marë edhe emrin, Vienna Insurance Group AG Wiener Versicherung Gruppe. Kjo shoqëri ka fituar në vitet e fundit rreth 650 milionë lekë të vjetra nga tenderat.