Tetë shtete i kanë kërkuar Bashkimit Evropian të mbështesë firmat e transportit rrugor, të cilat janë goditur nga shpërthimi i koronavirusit si edhe të ndalet puna për reformat e reja përsa i përket kushteve të punës për shoferat e kamionave. Vazhdimi i këtyre reformave, në këtë moment kritik, do të sillte një dëm të madh për kompanitë e transportit.
Sipas Reuters, ministrat e transportit të Bullgarisë, Hungarisë, Lituanisë, Polonisë, Qipros, Letonisë, Maltës dhe Rumanisë thanë që BE duhet të mbështesë firmat e transportit njësoj siç po ndërmer hapa për të mbështetur linjat ajrore.

Edhe para pandemisë, të njëjtat kombe, kryesisht të Evropës Lindore po konsideronin një sfidë ligjore për rregullat e reja të kamionëve të BE-së, të cilat do t'i vinin firmat e tyre në disavantazh duke i detyruar kamionët t’a bënin bosh rrugën e kthimit, gjë e cila shkakton kosto të tepërta.

Rregullat e reja do t'i detyronin kamionët të ktheheshin në vendet bazë çdo tetë javë, do t'u jepnin drejtuesve të automjeteve të drejtën të ktheheshin në shtëpi çdo katër javë dhe kërkonin që shoferët të kalonin periudha pushimi jashtë automjetit të tyre.Të gjitha këto sigurisht do t’i faturoheshin kompanive përkatëse.Ishte planifikuar që kjo rregullore e re të nënshkruhej në 24 mars, por përhapja e Covid 19 bëri që kjo çështje të shtyhet për një moment të dytë.Tashmë, këto 8 shtete kërkojnë që edhe për këtë kategori transporti të ketë masa lehtësuese përgjatë pandemisë.
Burimi: Reuters|Përktheu dhe Përshtati: JOQ Albania