Me mbi 11 mijë viktima, Italia është vendi më i prekur në botë nga pandemia Covid-19.
Koronavirusi vijon të marrë qindra jetë njerëzish në shtetin fqinj çdo ditë.
Një tragjedi e vërtetë është ajo që ka ndodhur në Voghera, në provincën Pavia, ku koronavirusi ka shuar një familje të tërë.
Pas babait, Alfredo Bertucci, dhe dy djemve Daniele dhe Claudio, vdiq edhe nëna, Angela Albergati.
Gruaja 77-vjeçare u shtrua në spitalin e Voghera të mërkurën, por për fat të keq ajo ndërroi jetë këtë të hënë.
Në një foto të publikuar në vitin 2015, Alfredo Bertucci dhe një nga djemtë e tij, Claudio, shfaqen së bashku në kompaninë e tyre të prodhimit të hekurit të farkëtuar.
Në foton prekëse shihet babai i cili po i kalonte përvojën dhe sekretet profesionale të birit, i cili kishte ndjekur gjurmët e tij.
Fatkeqësisht, ata nuk jetojnë më, pasi koronavirusi u mori jetën.
Por, i njëjti armik i tmerrshëm dhe i padukshëm i shkaktoi edhe vdekjen e djalit tjetër, Daniele, dhe gruas së tij, Angela Albergati.
77-vjeçarja ishte e fundit që u dorëzua përballë virusit vdekjeprurës.
Alfredo, 86-vjeç, ishte një farkëtar shumë i respektuar në Voghera. Ai humbi jetën i pari nga koronavirusi.
Djali i tij, Claudio Bertucci, 46-vjeç, ndërroi jetë pas tij. Ai la pas punime fantastike me hekur, të cilat janë botuar në faqen e Facebook të kompanisë.
Ndërsa djali tjetër, Daniele, 54-vjeç, la pas gruan dhe dy vajza. Ai gjithashtu ishte një teknik i njohur i kompanisë Sordi Spa, e cila ndodhet në rrugën Bobbio.
Lajmi për shuarjen e familjes së nderuar Bertucci tronditi mbarë qytetin Pavia.
Burimi: Fanpage.it|Përktheu dhe Përshtati: JOQ Albania

