Kryeministri Rama, u ka kujtuar bizneseve të vogla me persona të vetë-punësuar, fjalën e urtë popullore: “Nuk është bërë deti kos”.
Ua citoi disa herë publikisht, si paralajmërim se nuk do të marrin masën e plotë të rimbursimit të pagave e asnjë qindarkë humbje nga mbyllja, por vetëm nga 1 pagë minimale, shkruan Pamfleti.
Ndërsa masakron të vetëpunësuarit dhe u vonon pagesat me lloj-lloj formularësh e aplikimesh “on-line”; bizneseve të mëdha, klientë të kupolës së pushtetit, po u paguan miliona euro tenderësh, madje si paradhënie para përfundimit të punimeve.
Një nga këto biznese; të cilit po i likujdohen faturat paradhënie e me shpejtësi, është firma e ndërtimit “4-AM”, me administrator Ardit Metaliaj; por që njihet dhe trajtohet, si firmë e oligarkut Bashkim Ulaj.
Konkretisht kësaj firme, Bashkia Tiranë dhe Drejtoria e Rrugëve (ARRSH), i ka bërë paradhënie, 1 milionë Euro pagesa me TVSH, në datat 12, 17, 19 mars 2020, kur qeveria “vinte rrotull” për fonde emergjence epidemike.
