Me mbi 10 mijë viktima nga koronavirusi dhe mijëra të tjerë në gjendje kritike për jetën, Italia është vendi më i goditur në botë nga pandemia e koronavirusit.
Këto ishin ndër ditët më të errëta për popullin italian, i cili u gjet i papërgatitur përballë Covid-19, i cili mori me mijëra jetë, duke lënë pas dhimbje pafund.
Ndërkohë, një tjetër gjë që zhgënjeu italianët ishte edhe mungesa e solidarizimit nga Bashkimi Europian, të cilët nuk u ofruan të ndihmonin Italinë në këto ditë të vështira.
Zhgënjimi i italianëve me BE-në duket se ka arritur kulmin, pasi disa qytetarë janë mbledhur në rrugë dhe kanë bërë gjest kundër Unionit Europian.
Të revoltuar dhe zhgënjyer, ata i kanë vënë flakën flamurit të Bashkimit Europian.
Videoja është bërë virale në rrjetet sociale, ku është shpërndarë me shpejtësi.
Incidenti është regjistruar në Xhenova, ndërkohë që ata kanë marshuar nën thirrjet: "Jemi italianë, do ia dalim vetë".
Madje shumë italianë ka zhvilluar protesta në qytete të ndryshme, ku kanë kërkuar të mos përdoret më euro, por të rikthehet lira italiane si monedhë zyrtare.
Ndërkohë, ka pasur edhe nga ata që kanë bërë thirrje për daljen e Italisë nga BE-ja.
Vlen të theksohet se Shqipëria ka qenë ndër të vetmit vende në Europë dhe botë, që i qëndruan pranë Italisë fqinje, duke dërguar 30 mjekë dhe infermierë në ndihmë të kolegëve të tyre italianë, për përballimin e situatës dramatike të krijuar nga Covid-19.