Safet Gjici i cili tani drejton Bashkinë e Kukësit, deri në vitin 2014 ishte një nga biznesmenet më të fortë në Shqipëri dhe që falë miqësisë me kryeministrin Edi Rama arrinte të fitonte tendera në institucionet shtetërore.
Pasi u emërua në vitin 2014 si prefekt i qarkut Kukës nga Rama, kompanitë që ai kishte në zotërim ia kaloi të vëllait, Lavdrim Gjicit.
Edhe nën administrimin e të vëllait, kompanitë “Euro Gjici Security” dhe “ Kevin Konstruksion”, vazhduan të përfitonin para nga buxheti i shtetit, madje më shumë se kur në krye ishte vetë Safet Gjici.
Këto dy kompani kanë marrë tendera nga shumë bashki të vendit, madje edhe nga ato që drejtohen nga të djathtët.
Bashkia e Dibrës me në krye Dionis Imerajn, është bashkia e fundit që i ka dhënë një tender kompanisë “Kevin Konstruksion”.
Objekti i tenderit është “Rikonstruksioni i Kanalit ujitës Përroi i Llixhave-Lagjia Dobrovë”. Nga ky rikonstruksion, vëllai i Gjicit do të përfitojë 46 milionë lekë.
Ndërsa sipas Thesarit të shtetit, kjo kompani gjatë viteve 2015-2019 ka përfituar nga buxheti i shtetit, një shifër stratosferike prej 10 miliardë lekësh.