JOQ Albania
Home

Kompania e BOSS-es Shqiptare, Miliarda Lekë Tendera Shëndetësie nga Veriu në Jug të Shqipërisë
Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 31/01/2020 22:20

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Padyshim që Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet në varësi të saj (Pa përjashtuar disa ministri të tjera) kapin vlerën më të lartë ët tenderave e koncesioneve të dhëna në llojin PPP.

Për shërbimet që presupozohet të ofrohen(kur në fakt fare mirë mund t’i ofronte shteti), kompanitë e BOSS-ëve shqiptarë kapin “Jackpotin”, që del drejtpërdrejt nga Buxheti i Shtetit.

Këto lloj partneritetesh janë vënë në shënjestër të FMN e BB për shkak të keqllogaritjes të raportit kosto-përfitime.

Kompanitë në tregun shqiptar që ofrojnë në treg barna dhe shërbime farmaceutike mund të cilësohen padyshim si “qershia mbi tortë”, përsa i përket përfitimit në historikun e tenderave të hapura nga institucionet shtetërore të shëndetësisë.

Tregu kombëtar kërkon para së gjithash që barnat e prodhuar nga këto kompani shqiptare të jenë cilësore dhe të garantojnë efikasitet dhe siguri.

Por sa të arritshme janë këto pritshmëri kur ilaçet që blihen në farmaci tregtohen ende me datë skadence të kaluar për konsum apo janë pa pullë? Dhe sa funksionale është Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore kur në treg konstatohen raste të tilla çdo ditë?

Tenderat e hapur nga institucionet e Shëndetësisë për sigurimin e barnave fitohen nga një grup i ngushtë kompanish me të cilat janë lidhur marrëveshje. Nëse do hidhnim sytë nga numri i tenderave që fitojnë në vit këto kompani, ky artikull mund të kalonte pritshmërinë e numrit të fjalëve të shkruara.

Nëse ndalemi tek tenderat e bërë publikë për këtë muaj, bien në sy miliona të ndara në disa lote, te shpërndarë në mënyrë të barabartë tek kompanitë e barnave me emër në vend.

Një prej kompanive me numrin më të lartë të tenderave të përfituara në Shëndetësi është “Rejsi Farma”, nën administrimin e Merita Sheqit, një prej BOSS-eve të vendit, së bashku me bashkëshortin e saj Nexhat Sheqin.

14 tendera publikë që kapin vlera marramendëse (pa llogaritur ato që nuk janë bërë ende publikë), i janë dhënë kompanisë “Rejsi Farma” gjatë vitit 2019.

Kështu si fituese të disa prej loteve të tenderave të hapur nisur nga Ministria e Shëndetësisë, Spitali Shefqet Ndroqi Tiranë, ai i Vlorë, Krujës, Beratit, Elbasanit, Korçës e duke u ngjitur deri në Kukës e Shkodër, kompania e administruar nga Sheqët, është një prej atyre që kanë lidhur marrëveshje me këto institucione për të përfituar tendera.

Lista e tenderave të përfituara nga "Rejsi Farma" gjatë 2019-ës

Tendera të tjerë të përfituar gjatë viteve

Kjo kompani ka ofruar shërbime po ashtu edhe kur në krye të vendit qëndronte Berisha dhe është shpërblyer me miliona.

Lista e Artë

Sheqi u bë e njohur për publikun kur u rendit si një prej femrave BOSS-e të Shqipërisë për shkak të të ardhurave të saj nga kompanitë që ka në pronësi.

Ajo zotëron 40% të aksioneve të kompanisë farmaceutike, Rejsi Farma, realizoi të ardhura prej 3.6 miliardë lekësh në vitin 2016. Në vitin 2014, ajo ka krijuar dhe sipërmarrjen R&S FARMA, me aktivitet Tregti me shumicë e pakicë të medikamenteve, artikujve farmaceutikë e kozmetikë, i cili është rritur me shpejtësi, duke realizuar të ardhura prej 606 milionë lekësh në 2016-n. Të dyja kompanitë kishin fitime prej 164 milionë lekësh, pra 1.2 milionë euro në vitin 2016.

***

Rikujtesë/ Informacion për transparencë të publikut

MILIONA GJATË 2018-2019 PËR KONCESIONET NË SHËNDETËSI Po nëse këto shpenzime do investoheshin tek shtetërori?

Nëse kjo shumë galopante në vend që shteti t’ia jepte privatit, do të kishte shkuar për sektorin publik, sa cilësor do të kishte qenë shërbimi shëndetësor i ofruar për qytetarët?

Përgjigjen e kësaj pyetje e ka dhënë dikur një ish-ministër i Shëndetësisë i cili citoi: Me këtë shumë, vendi do të kishte të paktën 5 qendra të mëdha spitalore dhe do t'i plotësonte të gjitha.

Fondi Buxhetor vjetor i akorduar për Shendetësinë, po shpenzohet me shpejtësi tek privati, duke lënë të pakënaqur mijëra mjekë e infermierë të cilët detyrohen të emigrojnë në vendet fqinje për të patur një pagesë të denjë për profesionin e tyre.

4.5 miliardë lekë do i kushtojnë buxhetit të shtetit 4 kontratat e partneriteti publik privat në sektorin shëndetësor për vitin 2020. Buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë për këtë vit është 77,5 miliardë lekë rritje me 4% në raport me 2019.

Vetëm në fillim të vitit 2019, u akorduan 311 milionë euro për 4 koncesione.

Përsa i përket vitit 2018, rreth 12% ose mbi 5 miliardë lekë nga Buxheti i Shtetit nga 41 miliard të akorduara për sektorin e Shëndetësisë, kanë shkuar për 3 koncesione me PPP. Rikujtojmë këtu kalimin nga shtetërori tek privati kontrollin falas, koncesionin “Check-up” të përfituar nga Vilma Nushi, i cili kapi vlerën e 876 milionë lekëve apo atë të “Hemodializës” 736 milionë lekë, sëbashku me atë të “Sterilizimit të Pajisjeve Kirurgjikale”, të cilët të 3 sëbashku kapin vlerën e 300 mln eurove.

Kosto e Check-Up, e cilësuar si një nga shërbimet më abuzive të dhëna ndonjëherë privatit, u komentua nga KM si: Jo me 120 milionë dollarë në vit, por 64 milionë dollarë për 10 vjet. Këto 6.4 milionë dollarë në vit duhen që shqiptarët nga mosha 40-65 vjeç, mund ta bëjnë atë me 18 mijë lekë të vjetra, jo me 51 mijë lekë. E këto 18 mijë lekë, ne i paguajmë nga taksat.

Para këto që kalojnë nga xhepat e shqiptarëve për të pasuruar xhepat e oligarkëve të vendit. Shtimi i koncesioneve nuk janë pagesa të drejtpërdrejta nga xhepi i qytetarëve, por sjellin rritje të taksave apo pagesa më të kripura për shërbime të caktuara që duhet të paguhen nga shqiptarët.

PREMTIMI "SHËNDETËSI FALAS", MBETI NË HARRESË ELEKTORALE

Shëndetësia falas është një premtim i vitit 2013 nga vetë Rama, kur ministër Shëndetësie ishte Ilir Beqaj. Lideri suprem e cilësoi këtë objektiv, si yllin polar të qeverisë. Por ashtu siç janë yjet edhe ky premtim i Ramës mbeti i paarritshëm dhe ilaçet në spitale mungojnë, prodhohen nga kompani shqiptare e shiten me çmime të mbifaturuara (e që konsiderohen nga mjekët si jocilësore), por duke mos lënë pa përmendur këtu edhe shërbimin e mjerueshëm që marrin çdo ditë qytetarët shqiptarë, të denoncuar me fakte dhe foto.

Teksa “reforma” e premtuar që nuk u mbajt kurrë, u kritikua gjerësisht, Rama u përgjigj:

Shëndetësia nuk është qofte te daja”.

Ndër të tjera ai shtoi se ky është një objektiv i një mandati afatgjatë, teksa është në vitin e 7 të qeverisjes së tij Rama nuk ka përmbushur as pritshmëritë bazike të “yllit të tij polar”, që u shua si premtim elektoral.

JOQ ALBANIA