Pas gjyqtarëve KÇK dhe zëvendës-ministrit të Financave Elton Haxhi, Gjin Gjoni rekruton edhe gazetarë për ta ndihmuar me mashtrime në luftën e gruas Elona Çaushi me amerikanët për dyqanet Duty Free në Rinas.
Çifti Gjin Gjoni dhe Elona Çaushi korruptojnë dhe mashtrojnë këdo që u del përpara, për të kontrolluar me çdo kusht ambientet Duty Free në Aeroportin e Rinasit, biznes të cilin e përdorin si bazë për të justifikuar paratë e korrupsionit që ka bërë Gjini në drejtësi me çekiçin e aferave. Kompania amerikane International Cruise Duty Free ka fituar tenderin si dhe ka lidhur kontratën me TIA-n që në korrik të 2019 për menaxhimin e dyqaneve pa taksa. Por, sot dyqanet kontrollohen nga Gjin Gjoni dhe Elona Çaushi. Po si ka arritur çifti t’i mbajë dyqanet, edhe pse kanë humbur tenderin dhe u ka mbaruar kontrata?! Shumë thjeshtë: Korrupto dhe mashtro. Fillimisht Gjin Gjoni ka gjetur ushtarin e tij, zëvendës-ministrin e Financave, Elton Haxhi, i cili i rinovoi licencën në mënyrë të paligjshme kompanisë së Elona Çaushit, Albania Duty Free Distribution, për të ushtruar aktivitetin Duty Free në Rinas. Më pas ministrja e Financave ia anuloi licencën, por Gjin Gjoni gjeti një gjyqtar, për ta rrëzuar vendimin.
Në vijim, Gjin Gjoni ka gjetur dy gjyqtarë kamikazë, Avni Sejdi dhe Mimoza Kajo Brahimi, të cilët kanë marrë vendime në favor të kompanisë së gruas, për të kontrolluar dyqanet. Një aferë e tillë ka alarmuar qarqet ndërkombëtare dhe qeveritare. Por, nuk mbaron me kaq. Për të mjegulluar skandalin e qartë, Gjin Gjoni ka rekrutuar disa gazetarë partie, duke bërë shkrime qesharake, rreth konfliktit me amerikanët për dyqanet në Rinas. Për takimet e Gjin Gjonit me gazetarët e ‘Syrit’ të Zenit ka fotografi dhe video. Për të gjithë këtë operacion Gjin Gjoni duket se ka përdorur paratë që ka bërë me çekiçin e korrupsionit në drejtësi, duke liruar nga burgu koka të trafikut të drogës. Për të fituar çështjen edhe në Apel para se të shkarkohet nga Vetingu dhe t’i zbehen influencat, Gjin Gjoni, arriti të bëjë pjesë të trupit gjykues ish-gruan e shokut të tij në KLD, Gerd Hoxhës. Ajo ka gjykuar në vitin 2010 një tjetër konflikt të Elona Çaushit, duke përzënë nga Shqipëria gjermanët po për dyqanet në Rinas dhe duke u marrë edhe rreth 350 mijë euro.
Në vitin 2014, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive kallëzoi penalisht Gjin Gjonin dhe Elona Çaushin për deklarim të rremë pasurie, falsifikim kontratash, fshehje pasurie, pastrim parash etj. Sipas dosjes dyshja kishte pastruar disa miliona euro, duke përdorur si bazë biznesin e Elona Çaushit në aeroport. Sipas dosjes, dyshja ka blerë dyqan 150 mijë euro, apartament 53 200 000 lekë, një vilë me vlerë 700 mijë euro etj., në periudhën 2010-2012, me para të pista. Më vonë Gjin Gjoni ka thënë se e ka shitur sërish rezidencën 700 mijë euro, por dyshohet se Gjini e ka kaluar në emrin e një personi të besuar, që mos t’ia sekuestrojë SPAK-u. Gjin Gjoni dhe Elona Çaushi arritën t’i shpëtojnë ndëshkimit me lehtësi. Si mjeshtër i procedurave, Gjin Gjoni i sabotoi hetimet, duke mos lejuar ardhjen e letër-porosisë nga Gjermania, që do të nxirrte zbuluar mashtrimin e dyshes, shkruan "Pamfleti". Prokuroria kërkoi kohë për të pritur letër-porositë nga Gjermania dhe Franca. Gjin Gjoni vuri në lëvizje Gjykatën e Elbasanit, për t’i kufizuar kohën prokurorisë. Gjykata pranoi kërkesën e Gjin Gjonit, duke sabotuar prokurorinë, e cila u detyrua të mbyllë hetimet. Zbardhja e kësaj afere tashmë i takon SPAK-ut.
Në vitin 2017, Elona Çaushi dha një intervistë ku foli për historinë e dashurisë me burrin e saj, Gjin Gjoni, si dhe për veten e saj si biznesmense e suksesshme. Në këtë intervistë, por edhe në të tjera, ajo shmang një pjesë të rëndësishme të jetës së saj, përcaktuese për biznesin që ka sot në Rinas. Elona Çaushi nuk përmend askund burrin e saj të parë gjerman, Werner Mehlber. Ajo e ka mohuar edhe në dokumente dhe dëshmi gjermanin. Por, ka dokumente që vërtetojnë se Elona Çaushi dhe Werner Mehlber kanë qenë bashkëshortë. Në një padi që Elona Çaushi ka bërë në gjykatë për t’i marrë biznesin dhe për të përzënë nga Shqipëria një tjetër gjerman, ajo mban mbiemrin e burrit, Mehlber.
Kompania që ka sot Elona Çaushi është themeluar në vitin 1997 mes çiftit të bashkëshortëve Werner Mehlber dhe shtetasen Elona Mehlber (Çaushi). Fillimisht kapitali i kompanisë “Albanian Duty Free Distribution” ka qenë vetëm 1 milion lekë të vjetra dhe kishte dy ortakë me 50 për qind të kuotave. Në 12 mars 2004 ish-bashkëshorti i Elona Çaushit, Werner Mehlber është larguar nga kompania, ndërkohë 50 për qind e aksioneve të tij, i ka blerë Elona Çaushi. Pas këtyre lëvizjeve, në vitin 2007 kjo e fundit vendos të fusë si bashkë-aksioner shtetasin gjerman Claus Helmut Otto Heinemann, duke i shitur 70 për qind të kapitalit dhe pas një seri gjyqesh ka mundur të rifitojë sërish të gjithë kapitalin e kompanisë së lartpërmendur. Për të fituar këto beteja e ka ndihmuar Gjin Gjoni me lidhjet e tij në gjyqësor. Tashmë historia është e qartë, Elona Çaushi i mori biznesin burrit të parë dhe po e mban në mënyrë të paligjshme me burrin e dytë, Gjin Gjonin.