Detaje të reja janë zbardhur nga pengmarrja e ndodhur mesditën e sotme në Kamëz.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në prani të qytetarëve të shumtë që gjendeshin aty pranë.
Një prej dëshmitarëve ka rrëfyer për "Fax News" se në vendin e ngjarjes ka parë gjurmë gjaku dhe një këpucë të personit të rrëmbyer.
Sipas tij, kanë qenë katër persona të maskuar, të cilët e kanë marrë me dhunë një person, duke e futur brenda në një automjet.
Ai tha:
Unë kam parë vendin e gjakosur, pranë rrugës “Manhatan”. Pashë vetëm gjurmë gjaku dhe këpucën e personit që është rrëmbyer. Nuk kam qenë në vendngjarje, e mora vesh pak më pas. Ka ndodhur nga ora 11:00. Policia u njoftua pak me vonesë. E kishin marrë me dhunë. Ishin 4 persona të maskuar."
Sipas versionit zyrtar të Policisë, ngjarja ndodhi në rrugën "London", ku gjatë një konflikti midis disa personave ende të paidentifikuar, është marrë pa dëshirë në automjet një nga personat e përfshirë në konflikt.
Policia njofton se është gjetur automjeti i personit që dyshohet se është marrë peng, ndërsa raportohet se efektivët janë vënë në ndjekje të makinës së autorëve.
Njoftimi i Policisë:
Rreth orës 11:44, në rrugën “London”, Kamëz, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit midis disa personave ende të paidentifikuar, është marrë jashtë dëshirës në automjet një nga personat e përfshirë në konflikt. Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe është vënë në ndjekje të automjetit i cili është larguar menjëherë nga vendngjarja. Në vendngjarje shërbimet e Policisë kanë gjetur automjetin e personit që dyshohet se është marrë jashtë dëshirës së tij nga personat me të cilët u konfliktua. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes."
Foto ilustruese