JOQ Albania i beson 172.000 $ e mbledhura nga shqiptarët fondacionit “Firdeus” drejtuar nga Elvis Naçi

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 30.11.2019, 19:40

Stafi i JOQ Albania njofton publikisht e gjithë shuma e të ardhurave nga këto kontribute do t’i bashkohen Fondacionit FIRDEUS me drejtues mirëbërësin e shqiptarëve Elvis Naçin për rindërtimin e banesave të shkatërruara të atyre që kanë mbetur pa një çati mbi krye. Ky kontribut do të ofrohet drejtpërdrejt tek të prekurit nga tërmeti për të lehtësuar sadopak rëndesën e tyre.

Pas tërmetit më të fuqishëm të dekadës së fundit që tronditi Shqipërinë e la një plagë të thellë në shpirtrat e shqiptarëve, puna e JOQ Albania ka qenë e pashtershme. Megjithëse mesazhet kanë qenë me dhjetëra, thuajse të pamenaxhueshme, falë punës së palodhur të stafit tonë, kemi mundur t’i gjendemi pranë çdo qytetari duke iu përgjigjur atyre që na kanë kërkuar ndihmë, si dhe atyre që kanë ofruar ndihmë për të prekurit nga kjo tragjedi.

Një pune të pareshtur, për të qenë sa më pranë jush në këto ditë të vështira për vendin, i është dhënë konkretizimi nga nisma jonë kolosale që e ka burimin nga besimi juaj dhe dëshira e mirë për të ndihmuar shqiptarët e dërrmuar fizikisht dhe psikologjikisht.

Për t’i ardhur në ndihmë dhe për t’i lehtësuar dhimbjen jo vetëm me furnizime ushqimore, veshmbathje e të tjera ndihma, JOQ ALBANIA me anë të një llogarie ne GoFundMe, e bërë publike dhe transparente në profilet tona në rrjetet sociale që në fillim të kësaj nisme, do të dhurojë një shumë që konsiderohet modeste krahasuar me dhimbjen e pafundme të banorëve të lënduar nga tërmeti, që shpresojmë të shërbejë sadopak si lehtësim për jetët e disa shqiptarëve të gjunjëzuar.

Shqiptarë të mirë nga e gjithë bota, emigrantë, të mitur, prindër e të moshuar që kishin parë nga afër e larg pamjet e dhimbshme të banorëve të prekur nga tërmeti, nisën të ofroheshin për ndihmë në vlerë monetare me sa kishin kishin mundësi, shuma modeste por të dhuruara me të njëjtën dëshirë si ata që dhuruan mijëra e preferuan të mbeteshin anonim.

Janë mbledhur mbi 172 mijë dollarë deri në momentin që po lexoni këtë artikull, të ardhura me burime nga kontributi i ndjekësve tanë, që do t’u vihen në shërbim e në ndihmë shqiptarëve.

Sqarim: Për të gjithë skeptikët, profilet falso të Rilindasve drejtuar nga Endri Fuga që këto ditë tentuan të përdhosnin kontributin e shqiptarëve duke përhapur informacione dashakeqëse për të vënë në dyshim nismën tonë dhe për ata profile realë të administratës të paguar nga Veliaj, kemi vetëm dy fjalë: JU FALIM!

E gjithë shuma e mbledhur, për ata që nuk janë të mirëinformuar se si funksionon procedura, nuk është tërhequr ende nga ne dhe vijon të mbetet në llogarinë e GoFundMe të krijuar nga stafi i JOQ ALBANIA.

Në momentin që shuma do të tërhiqet nga llogaria, për publikun dhe ndjekësit tanë për shqiptarët që kontribuan pa u stepur dhe atë që ofruan ndihmë morale duke u solidarizuar, do të bëhet e ditur në mënyrë transparente në të gjitha rrjetet tona sociale aty ku kemi kontakte të pandërprera me ju!

Disa prej gazetarëve tanë kanë zbritur në zonat e prekura duke bërë vlerësimin e atyre familjeve që kanë nevojë të ndihmohen më shumë, në mënyrë që të bëhet një zgjedhje e drejtë se kujt duhet t’i shkojë ky fond. Ky proces ka nisur të dokumentohet prej ditës së sotme, në mënyrë që gjithçka të jetë transparente e të përkthehet si e mirë-vlerësuar deri në qindarkën e fundit.

Stafi i JOQ Albania falënderon përzemërsisht çdo shqiptar me zemër të madhe që kontribuoi, fundja është dëshira e mirë ajo që na jep shpresë! Bashkë jemi më të fortë!

Me respekt stafi i JOQ Albania

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të klikoni këtu për të na kontaktuar.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit