Gjendja në qytetin e Durrësit dhe fshatin Thumanë po vazhdon të jetë dramatike, pasi ende po vazhdojnë të nxirret viktima dhe mendohet se ka të tjerë nën to.
Për këtë, Kosova do të dërgojë trupa shtesë të ushtrisë, që do të merren me sanimin e pasojave dhe konstatimin e shkallës së dëmtimit të ndërtesave të tjera, për të mos rrezikuar jetë të tjera njerëzish, raporton JOQ Kosova.
Këtë gjë e ka konfirmuar presidenti i Kosovës, Hashim Thaci, i cili tregoi se në mëngjes ka biseduar me kryeministrin Edi Rama.
“Pas bisedës telefonike me kryeministrin Rama, nga sot Kosova dërgon trupa shtesë të Forcës së Sigurisë, të specializuara për sanimin e pasojave dhe konstatimin dhe evidentimin e saktë të shkallës së dëmtimit të ndërtesave në zonat e goditura nga tërmeti”, ka thënë presidenti Thaci.
Sipas Thacit, këto forca të ushtrisë do të dërgohen që me punën e tyre të krijojnë organizim të sigurt për ata që duan të kthehen në shtëpitë e tyre nëpër zonat ku ka pasur dëmtime.
“Kthimi i njerëzve nëpër shtëpi duhet të bëhet në mënyrë të organizuar vetëm pas konstatimit real që shtëpitë dhe banesat të jenë të sigurta dhe të mos ndodhin fatkeqësi të tjera”, ka shtuar presidenti.
Ndryshe, Kosova ka ndihmuar Shqipërinë që nga momenti kur ka ndodhur tërmeti i fuqishëm, pasi u dërguan ushtria dhe policia në një kohë shumë të shkurtër.