Ndihma nga Kosova për shqiptarët e prekur nga tërmeti, po jepet në çdo mënyrë. Por tani është e nevojshme zgjidhja e strehimit të të prekurve.
Për këtë, Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me komunën e Prizrenit, Ambasadën Gjermane në Kosovë dhe GIZ në Kosovë, kanë vendosur të hapin Parkun Inovativ në Prizren (ish kampi ushtarak Gjerman) për të gjitha familjet e prekura nga tërmeti në Shqipëri, raporton JOQ Kosova.
Lajmin e ka bërë të ditur zëvendëskryeministri në detyrë, Behgjet Pacolli, përmes postimin një Facebook, duke treguar edhe një herë se shteti kosovar do t’i dalë në ndihmë në çdo mënyrë shqiptarëve që kanë mbetur pa shtëpi.
Sipas tij, ky park ofron të gjitha kushtet dhe ka mbi 800 shtretër, menzë, spital, fusha sportive dhe çdo gjë për t’ju bërë të ndiheni komod gjatë kësaj kohe krize.
“Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me komunën e Prizrenit, Ambasadën Gjermane në Kosovë dhe GIZ në Kosovë 🇩🇪🇽🇰, kanë vendosur të hapin Parkun Inovativ në Prizren (ish kampi ushtarak Gjerman) për të gjitha familjet e prekura nga tërmeti në Shqipëri. Ky park ofron të gjitha kushtet dhe ka mbi 800 shtretër, menzë, spital, fusha sportive dhe çdo gjë për t'ju bërë të ndiheni komod gjatë kësaj kohe krize”, ka shkruar Pacolli.