Kosovari dërgoi 100€ për të prekurit e tërmetit, banka i gllabëron 29 euro provizion

Shkruar nga: E Jashari | Publikuar më: 26.11.2019, 22:16

Shqipëria është goditur sot nga një tërmet i fuqishëm, i cili ka lënë të vdekur dhjetëra persona, qindra të lënduar dhe dëme materiale në disa qytete të vendit.

Ndonëse ende nuk ka një bilanc të saktë, raportohet se nën rrënoja ka ende njerëz. Si pasojë e kësaj edhe shumë persona kanë mbetur pa kulm mbi kokë, raporton JOQ Kosova.

Por në ndihmë ndaj personave të goditur nga tërmeti në Shqipëri u kanë dalë edhe qytetarët e Kosovës. Ata kanë shprehur një solidarizim të paparë me vëllezërit shqiptarë, siç kanë bërë edhe ata gjatë kohës së luftës, duke strehuar mijëra refugjatë nga Kosova.

Mirëpo, një qytetar nga Istogu ka treguar përvojën e tij të hidhur në përpjekje për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti në Shqipëri. Ai i ka dërguar 100 euro ndihmë financiare familjeve të prekur nga tërmeti në Shqipëri. Transferin e ka bërë përmes “Raiffeisen Bank” e cila si provizion, ia ka ndalë 29 euro, apo rreth 30 % e vlerës së përgjithshme.

Ai është shprehur i indinjuar me këtë fakt, duke publikuar rastin të dokumentuar në rrjete sociale.

“Nga Bankat tona ndodhë edhe kjo. Nga kontributet vullnetare emergjence për ndihëm të prekurve nga termeti në Shqipëri ,banka për transferin e asaj ndihmë solide edhe në këto situata të dhimbshm ,për 100€ merr provizion 29 € TURP”, ka shkruar ai në “Facebook”.

E reagimi i qytetarëve ka bërë që banka të reflektojë dhe ta pranojë gabimin. Ata thanë se paratë që janë ndalur do të kthehen nesër.

"Ju njoftojmë se pas situatës së krijuar në Shqipëri, Banka Raiffeisen nuk do të aplikojë asnjë tarifë për transferet që klientët e Bankës Raiffeisen i dërgojnë si ndihmë në llogaritë zyrtare humanitare të shpallura nga Republika e Shqipërisë. Po ashtu, edhe tarifa që zakonisht merret nga bankat ndërmjetësuese dhe pranuese për transfere ndërkombëtare do të mbulohet nga Banka Raiffeisen në Kosovë, duke bërë që shuma që e transferon klienti të arrijë e plotë në llogarinë humanitare. Po ashtu ju njoftojmë se të gjitha tarifat që janë ndalur për transferet e ekzekutuara në këto llogari humanitare gjatë ditës së martë, me datë 26 nëntor do të kthehen tek klientët", thuhet në sqarimin e bankës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit