Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka mobilizuar njësitet e saja policore dhe ka nisur drejt Shqipërisë, për t’i ndihmuar njësiteve emergjente.
Policia ka nisur 110 operator të ndryshëm logjistik, bënë të ditur kumtesa e tyre.
“Sot, në orët e hershme të mëngjesit Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës, ka mobilizuar njësitet e saja policore të cilat i ka nisur në drejtim të Republikës së Shqipërisë, për t’iu asistuar njësiteve emergjente të cilat janë të inkuadruara në operacionin e kërkim-shpëtimit, si pasojë e tërmetit të fuqishëm të ndodhur në disa lokacione të Shqipërisë.
Njësitet policore të PK-së, në përbërje prej njëqind e dhjetë (110) operatorëve të njësiteve të specializuara, të pajisura me pajisje të ndryshme logjistike, të cilat tanimë kanë kaluar kufirin e Kosovës, do të jenë në shërbim të autoriteteve të Shqipërisë dhe sipas nevojës emergjente do të operojnë në kërkim-shpëtim të banorëve që dyshohet se kanë mbetur nën gërmadha të objekteve të rrënuara.
Policia e Kosovës shpreh gatishmërinë e saj që të vejë në funksion të gjitha kapacitetet policore dhe logjistike, në përkrahje dhe mbështetje të autoriteteve të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj, të prekur nga tërmeti i mëngjesit të sotëm.
Po ashtu Policia e Kosovës do të jetë në gjendje gatishmërie që sipas nevojës të angazhohet edhe në Kosovë, ku janë regjistruar disa tërmete të shkallës më të ulët", thonë Policia.
Ndryshe, më herët edhe ushtria e Kosovës ka arritur në Shqipëri, për të ofruar ndihmë në operacionet e kërkim-shpëtimit.