Tërmeti që goditi Shqipërinë mëngjesin e sotëm, ka goditur edhe zemrat e të gjithë kosovarëve të cilët po dërgojnë mesazhe lutjeje.
E të pikëlluar janë shprehur edhe liderët politikë të Kosovës, të cilët kanë shprehur gatishmëri për ndihmë, raporton JOQ Kosova.
I pari që ka njoftuar se ka biseduar me kryeministrin Edi Rama ka qenë presidenti Hashim Thaci, i cili ka njoftuar se ushtria e Kosovës është nisur drejt Shqipërisë.
“Sapo fola me kryeministrin Edi Rama, ku u informova për gjendjen pas tërmetit që goditi Shqipërinë. Kryeministrit Rama, në emër të qytetarëve të Kosovës i shpreha ngushëllimet më të sinqerta për viktimat që pësuan nga tërmeti. Kryeministrin Rama e sigurova se Kosova do të jetë në mbështetje dhe përkrah Shqipërisë. Tashmë njësitë përkatëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë nisur drejt zonave të dëmtuara nga tërmeti”, ka shkruar Thaci.
Pas tij ka reaguar edhe kryeministri në largim Ramush Haradinaj, por ky i fundit nuk ka harruar “inatet” me Ramën dhe telefonatën ia ka bërë presidentin Ilir Meta.
“Me shqetësim po i përcjell lajmet për tërmetet e njëpasnjëshme që goditën Shqipërinë dhe një pjesë të Kosovës gjatë natës. Mendimet dhe lutjet e mia janë me të gjithë qytetarët që pësuan dhe ata që presin me padurim lajme për familjarët e tyre. Kosova është e gatshme t’i ofrojë ndihmën e saj të pakursyer popullit dhe shtetit të Shqipërisë për të tejkaluar këtë situatë të rëndë. Të gjithë të lënduarve shërim sa më të shpejt dhe për ata që pësuan do të jemi në dispozicion të plotë”, ka shkruar Haradinaj.
Ndërkohë, ka reaguar edhe Albin Kurti, pretendenti për të marrë kreun e Qeverisë pas fitores në zgjedhje. Ai ka thënë se tërmeti u ndje edhe në Prishtinë, por mendjet dhe zemrat janë tek Shqipëria.
“U ndje shumë edhe në Prishtinë. U zgjuam të gjithë. Por tash mendjen, sytë dhe veshët i kemi te Durrësi, te Kurbini e Thumana. Ngushëllime familjeve të viktimave dhe shërim të plagosurve e të lënduarve. Lutemi e urojmë që të mos përsëritet tërmeti. Kosova e përjeton dridhjen e dhimbjen e Shqipërisë. Jemi të gatshëm t'iu ndihmojmë autoriteteve zyrtare për çdo gjë”, ka thënë Kurti.
Ndryshe, akoma po vazhdojnë gërmimet nëpër rrënoja për të shpëtuar të ngujuarit, ndërkaq autoritetet raportojnë për disa të vdekur. E për t’u dalë në ndihmë, ushtria e Kosovës është rrugës për në Shqipëri.