Kosova ishte kapluar nga një debat i zjarrtë vitin e kaluar, pasi në listat e veteranëve të luftës dolën mijëra njerëz që s’kishin prekur armë me dorë.
Fryrja e listave të veteranëve, sa për një pension, bëri që shteti të nis hetimet për këto lista, raporton JOQ Kosova.
Por, ani pse janë bërë gati 1 vit hetime, veteranët e rrejshëm nuk iu bindën aq shumë ligjit sa po i binden një personi, i cili u ka thirru ndërgjegjen.
Nisma e një ish-pjesëtari të UÇK-së në Malishevë, që përfituesit e rrejshëm të këtyre beneficioneve të dorëzojnë certifikatën e veteranit, ka rezultuar e suksesshme. Faik Zogaj ka ndërmarrë një iniciativë për t’i bindur të gjithë veteranët e rrejshëm të UÇK-së t’i dorëzojnë statusin e tyre dhe kësaj nisme, Zogaj thotë se deri më tash i janë përgjigjur pozitivisht 13 persona. Ai pret që ky numër të rritet.
“Janë duke dorzu Statusin e veteranit nga të gjitha zonat ,nga Dukagjinit e Pashtrikut mund të themi nga të gjitha zonat dhe nga mbrenda javës numri ka shkuar në 13 vetë dhe ne sot presim që të paraqiten edhe disa të tjerë dhe besoj deri me 28 nëntor numri do të rritet deri 150 vetë që e dorzojnë statusin e veteranit” tha ai.
Zogaj është i bindur se në fshatin e tij në Mleqan janë 128 veteranë të rrejshëm kurse në tërë Drenicën rreth 2 mijë të tjerë.
Sidoqoftë, kjo tërheqje është sa një pikë ujë në oqean, pasi numri i përgjithshëm i veteranëve të rrejshëm kalon 25 mijëshin.