JOQ Albania
Home

Do lajë çarçafët e QSUT, oligarku i qeverisë Nikolin Jaka fut në xhep 370 milion lekë për 42 ditë
Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 21/11/2019 20:24

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Nëse nuk ju është mbushur ende mendja nga artikujt tanë të mëparshëm që tenderat multimilionësh të institucioneve shtetërore i përfitojnë miq të afërt të Ramës, oligarkë apo ‘biznesmenë të suksesshëm’ (ashtu siç u pëlqen atyre të vetëquhen), ky artikull ka për qëllim t’ju iluminojë sadopak mbi ‘lojën e tenderave mavi’ (ashtu siç na pëlqen ne ta quajmë).

Jaka është një prej përfituesve më të mëdhenj të tenderave publikë. Tre ditë më parë kompania AGS në pronësi të bashkëshortes së Jakës, Alma Tafanit ka fituar tenderin e shpallur nga QSUT me vlerë 30 782 293.67 (tridhjete milion e shtatëqind e tetëdhjetë e dy mijë e dyqind e nëntëdhjetë e tre pikë gjashtëdhjetë e shtatë) lekë pa TVSH, ose e thënë ndryshe me vlerë rreth 370 milion lekë të vjetra me TVSH.

Njoftim Fituesi Sherbim Lavanderie

Objekti i këtij tenderi, i thënë thjesht, është larja e çarçafëve të krevatëve të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” me një afat 42-ditor.

Pra administratorja e AGS, Alma Tafani dhe bashkëshorti i saj Nikolin Jaka përfitojnë 370 milion lekë të vjetra për 42 ditë.

DST sherbim lavanderie

Kriteret për përzgjedhjen e fituesit të këtij tenderi që ka qëndruar i hapur për 4 ditë, ishin çmimi më i ulët i ofertës së kualifikuar dhe oferta ekonomikisht më e favorshme, teksa fitues është shpallur AGS, por tenderi ishte shpallur si procedurë me negocim të drejtpërdrejtë, pa njoftim, pa garë dhe pa konkurrentë.

Shpesh këto procedura më shumë se mungesë konkurrence në treg, shfaqin opsione të formulimit të kritereve dhe afateve për dorëzim dokument në favor të një kompanie të paramenduar klienteliste. Këto tendera meritojnë të konsiderohen të ekspozuara dhe me risk.

Dhe ajo që qëndron, është se disa prej tenderave të përfituar nga Jaka, janë me këtë lloj procedure, pra me fitues të shpallur të përcaktuar pa konkurrencë.

TENDERAT ‘QOKË’ TË QEVERISË PËR JAKËN

Por kjo vlerë nuk është asgjë, janë miliona lekë përfitime nga Jaka me anë të tenderave publikë nga qeveria në vitet e fundit.

Sipas të dhënave nga Agjencia e Prokurimeve Publike, vetëm përmes kompanisë Sori-Al, Jaka dhe ish bashkëshortja e tij, Alma Tafani kanë përfituar mbi 5 milionë euro tendera publikë në dy vitet e fundit.

1-Sori-Al është kompania që ofron shërbimin katering për Albcontrol. Tenderi me vlerë 1 milionë euro është fituar në vitin 2016 me një çmim sa 99.9 për qind e fondit limit.

2-Me të njëjtën vlerë ndaj fondit limit kjo kompani ka marrë edhe tenderin e furnizimit me ushqime të spitalit Shefqet Ndroqi, të organizuar nga Ministria e Brendshme.

3-I tillë ishte tenderi për furnizimin me ushqim të repartit ushtarak 3006 në Farkë, I organizuar nga njësia e blerjeve të përqendruara në Ministrinë e Brendshme. Në këtë tender u paraqitën tre oferta. Më e ulëta ishte ajo e kompanisë, Shpresa dhe l’Artist me vlerë 310 mijë euro. Por tenderi u fitua nga Sori-Al që kishte ofertën më të lartë me vlerë 351 mijë euro ose 40 mijë euro më shumë se sa oferta më e ulët.

4-Tenderi për “Kryerjen e shërbimit të Pastrimit të ambienteve të brendshme dhe pastrim sistemim gjelbërimi i ambienteve të jashtme për Spitalin Universitar të Traumës”, është fituar sërish nga operatori ‘Sori –al SHPK’, me administratore Alma Tafanin.

5- Tenderi për ushqimin për fëmijët e Qendrës se Edukimit të Fëmijëve me vlerë rreth 100 mijë dollarë u fitua sërish nga AGS. Ky tender u denoncua si abuzim i Bashkisë Tiranë. Veliaj, favorizoi Jakën dhe i dha tenderin ku ai rezulton si ofertuesi më i lartë duke skualifikuar firmat e tjera me ofertë më të ulët.

BURGOSET PËR KORRUPSION ME TENDERAT KUR ISHTE ZV/MINISTËR, KUSH ËSHTË NIKOLIN JAKA?

Një prej oligarkëve më të mëdhenj në Shqipëri, edhe pse qëndron në ‘low profile’, pra përpiqet të kalojë i padiktuar në lojën tenderore, është Nikolin Jaka.

Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, njëkohësisht edhe pronari i kompanisë Zepa Natyral, është ndër vite një prej oligarkëve të preferuar të Ramës dhe Veliajt.

Nga një i burgosur pikërisht për tenderat famëkeqë, sot Jaka është një biznesmen i fuqishëm me lidhje të forta që ndikon fuqishëm ‘qokat nga qeverisësit e vendit’.

Nëse ndalemi pak tek e shkuara jo fort e paqme e Jakës, në vitin 2007 gjatë kohës kur ai ishte zv/ministër Transportesh, jo çdo gjë i shkoi vaj...

Jaka provoi prangat si i akuzuar për korrupsion me tenderat, kur mbante postin e rëndësishëm në qeveri.

Në vitin 2007, në operacionin e koduar “Duart e Pastra”, rezultoi se Jaka nuk i kishte larë, para se policia t’i trokistë ne derë.

Tenderat për të cilat akuzohej se kishte abuzuar

1- Fillimisht e ka nisur me tenderin Has-Qafë Prush, për të cilin akuzohet se i ka kërkuar të pandehurit Skënder Bokçiu 10 % të vlerës monetare, në këmbim të ushtrimit të ndikimit te i pandehuri Berzani për ta favorizuar në këtë tender.

2- Lidhur me tenderin Himarë e Vjetër-Kthesa e Pilurit, pretendohet nga akuza se i ka premtuar z. Ahmeti, administratori i kompanisë “TRISS NDËRTIM” sh.p.k për ta fituar këtë objekt.

3- Një tjetër shkelje, sipas Akuzës, ka qenë edhe në tenderin me objekt prokurori “Supervizimi i rrugës Rrëshen-Kalimash”.

Jaka u akuzua për "korrupsionin pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "shpërdorim të detyrës", ndërsa më pas akuza për të ndryshoi në "Ushtrim i ndikimit të paligjshëm" dhe u dënua me 1 vit burg.

JOQ ALBANIA