Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë e kundërshton rritjen e taksës për sigurim të automjeteve nga kompanitë e sigurimeve dhe përgjegjës kryesor për këtë e bën BQK-në e cila, sipas këtij këshilli në vend ta luaj rolin e rregullatorit të këtyre kompanive po bëhet pjesë e zhvatjes aktive të buxhetit të qytetarëve të Kosovës. “Në shumë vende të botës nëse i keni dy vetura dhe të cilat nuk i përdorni çdo ditë, me një palë tabela mund të ngasin veturat duke i zhvendosur sipas nevojës, nga njëra veturë në tjetrën”.
KMDLNj mendon se pikërisht ulja e çmimeve tarifore për sigurim dhe regjistrim të automjeteve mund të ndikojë shumë në zvogëlimin e numrit të 100.000 veturave të pasigurara dhe të paregjistruara. Rritja e paralajmëruar e tarifave nga kompanitë e sigurimeve, me pëlqimin diskriminues të BQK-së vetëm sa do ta rris numrin prej 100.000 automjeteve të pasiguruara dhe të paregjsitruara.
Mosrenditja e bashkëpunimit midis Byrosë së Sigurimeve të Kosovës dhe Policisë së Kosovës gjithashtu ndikon në rritjen e numrit të automjeteve të pasiguruara dhe të paregjistruara si dhe e betonon ndarjen thuaja legale në përqindje te tregut të kompanive te sigurimeve që pastaj e kanë lehtë të manipulojnë me tarifa dhe çmimeve, gjithmonë në dëm të interesit të qytetarit të Kosovës si dhe diasporës.
Ky organ e bënë përgjegjëse BQK-ë e cila,siç thuhet në reagimin e këtij këshilli “në vend se të mbrojë intreset e qytetarëve, bashkëpunon ngushtë me Kompanitë e Sigurimeve të cilat punojnë sipas sistemit të kartelit (marrëveshje të fshehta dhe ndarje e tregut në dëm të qytetarit) prandaj kërkon përgjegjësi nga BQK –ë duke e ftuar publikisht Prokurorinë e Shtetit të bëjë hetime për një vendim krejtësisht jotransparent që e ngarkon buxhetin e qytetarit, edhe ashtu të varfëruar”.
KMDLNj kërkon që Autoriteti i Konkurrencës të jetë më i vendosur në reagim ndaj këtij vendimi të padrejtë dhe diskriminues.
“Qytetarët nuk mjaftojnë vetëm të ankohen në KMDLNj për këtë zhvatje por duhet të kërkojnë dhe mbrojnë të drejtat e tyre përmes demonstratave paqësore siç veprohet në të gjitha vendet demokratike”, thuhet mes tjerash në reagim.