Pak ditë më parë kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, trumpetoi me të madhe gjobitjen e një Lamborghini superluksoz, duke e shpërndarë foton në "Facebook", teksa theksonte se nuk do të ketë aspak tolerime për drejtuesit e mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.
Por siç duket edhe kësaj here, postimi i Veliajt nuk paska qenë më tepër se sa një propagandë, pasi sot policia ka zbuluar se mjeti në fjalë rezulton i vjedhur.
Në një njoftim të Policisë, është bërë me dije se automjeti tip "Lamborghini Hurrican" me vlerë 250.000 euro, është deklaruar si i vjedhur në shtetin gjerman në 30 korrik të këtij viti.
Burime nga policia njoftuan se kanë kapur 38-vjeçarin me iniciale M.D., lundur në Elbasan dhe banues në Stuttgart të Gjermanisë, në kuadër të operacionit të koduar "Luxury Cars".
Ai akuzohet për veprat penale "trafikim i mjeteve motorike" dhe "Pastrimi i produkteve të veprës penale".
Po ashtu është shpallur në kërkim dhe një person tjetër, i cili në bashkëpunim me 38-vjeçarin kanë realizuar vjedhjen e automjetit luksoz në Gjermani për ta shitur më pas në Shqipëri.
Pasi kësaj, a mund të jetë Veliaj, kryebashkiaku i parë në botë që ka bërë propagandë me një automjet të vjedhur?
Njoftimi i Policisë:
Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e posaçëm “Shqiponja” ka finalizuar me sukses operacionin “LUXURY CARS”, duke parandaluar dhe goditur një rast të trafikimit të mjeteve motorike, me qëllim shitjen e tyre në Shqipëri. Falë një pune të mirëorganizuar nga burime të ndryshme operative, rezultoi se më datë 13.07.2019, në territorin e Shqipërisë ka hyrë nga një shtetas, një automjet i tipit “Lamborghini Huracán”. Ky mjet nga shteti gjerman më datë 30.07.2019, është deklaruar i vjedhur. Shërbimet e Policisë pas kotrolleve të kryera, kanë konstatuar autmojetin dhe menjëherë bën bllokimin e tij. Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M.D., 38 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Stuttgart, Gjermani, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale ‘’Trafikimi i mjeteve motorike’’ dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale’’. Policia shpalli në kërkim për të njëjtat vepra penale, shtetasin B.M., 43 vjeç, banues në Gjermani (bashkëpuntor). Ata dyshohet se kanë bashkëpunuar për kryerjen e vjedhjes së automjetit luksoz në Gjermani me qëllim shitjen e tij në Shqipëri. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti tip “Lamborghini Huracán”, i cili ka një vlerë monetare rreth 250.000 euro. Materialet e para procedurale iu përcollën Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.