Prokurorët e Gjykatës Speciale është thënë se kanë nisur hetimet qe disa kohë, mirëpo tani kanë nisur punë edhe në terren, duke intervistuar të dyshuar e dëshmitarë.
Mediat raportuan këto ditë për një ish-komandant të intervistuar nga prokurorët e Dhomave të Specializuara, duke mos u përmenduar identiteti i tij, raporton JOQ Kosova.
Mirëpo, avokati Arianit Koci kishte reaguar personalisht duke e bërë publike se bëhej fjalë për klientin e tij, Rrustem Mustafën-Remi.
“Me autorizimin e klientit tim z. Rrustem Mustafa, ju njoftoj se z. Mustafa ka pranuar një ftesë që me datën 14 janar 2019, të paraqitet pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës (ZPS) në Hagë. Kjo është ftesë për intervistim”, ka shkruar avokati Koci.
Ndërkohë, avokati i Mustafës ka thënë se ish-komandanti do të shkojë në Zyrën e Prokurorit të Specializuar si vullnetar për të sqaruar gjithçka.
“Z. Mustafa do të paraqitet vullnetarisht dhe është i gatshëm të sqarojë çdo rrethanë të cilën ZPS është duke e hetuar”, ka shtuar avokati.
Ndryshe, Gjykata Speciale është krijuar për të hetuar ‘krimet e luftës’, për të cilat kishte folur Dick Marty në një raport jo shumë të mirë për Kosovën. Ky raport ishte cilësuar si pretendim dhe të përfolurit e kishin cilësuar edhe si ‘të mbushur me të pavërteta./JOQ Kosova