Cilat janë kompanitë e basteve sportive që punësojnë mbi 7000 persona në Shqipëri?

Shkruar nga: G Hasani | Publikuar më: 15.10.2018, 07:58

Nga 1 janari nuk do ketë më baste sportive siç ka pasur deri më tani, pas një vendimi të qeverisë Rama në kuadër të nismës "Fundi i marrëzisë", të nisur disa vite më parë.

Vitin e kaluar industria e kumarit qarkulloi rreth 130 milionë euro, ku pjesën e “luanit” e kanë kazinotë. Sipas të dhënave zyrtare, vitin e kaluar shqiptarët luajtën 81 milionë euro në kazino dhe 45.5 milionë euro të tjera në baste sportive.

Mirëpo kjo do të ketë edhe efekte negative pasi në Shqipëri ka rreth 4.500 pika bastesh, të cilat sipas Kodit të Punës duhet të punësojnë minimalisht nga dy vetë. Pra, në total janë minimalisht 9.000 të punësuar, të cilët nga 1 janari do të dalin të papunë.

Disa nga pikat e basteve dhe llotove nëpër lagje kanë filluar të mbyllen që tani duke bërë kështu që të krijohet edhe një ofertë e lartë për ambiente me qira.

Pikat e lotove basteve e kazinove e kishin rritur ndjeshëm tregun e qirave sidomos në kryeqytet, teksa ishin të gatshëm të paguanin më shumë (psh një pikë bastesh afër Bllokut paguante deri në 200 euro për metër katror qira, nga 35-40 euro që është qiraja në qendrat e biznesit të kategorisë A), shkruan Monitor.

Bastet sportive së bashku me kompanitë call center, vitet e fundit janë dhe ndër punëdhënësit më të mëdhenj në vend.

Bastet sportive janë ato që punësojnë më shumë, për vetë natyrën e aktivitetit të tyre me shumë pika të hapura në gjithë vendin, ndonëse kazinotë kanë një qarkullim vjetor më të lartë.

Kompanitë e basteve që kanë më shumë të punësuar janë:

ITSGA, me 3,027 të punësuar deri në fund të 2017-s, sipas të dhënave nga tatimet është punëdhënësi më i madh privat në vend dhe i dyti në Shqipëri, pas kompanisë shtetërore të shpërndarjes së energjisë elektrike (OSHEE, që ka rreth 6,300 të punësuar). Kompania kishte një qarkullim vjetor prej rreth 11 milionë eurosh në 2017-n.

LOTTO SPORT SH.A, është punëdhënësi i nëntë më i madh në vend, me 1,722 të punësuar në total.

Më pas renditen kazinotë. Adriatik Game dhe Astra Albania kishin përkatësisht nga 292 dhe 239 punonjës deri në fund të 2017-s.

Apex-Al, ndonëse është operatori më i madh i lojërave të fatit në vend, sipas qarkullimit vjetor, me 20 milionë euro në 2017-n, kishte vetëm 231 të punësuar.

Regency Casino dhe VLT Albania kishin përkatësisht nga 217 dhe 144 të punësuar.

Operatorët e tjerë kanë më pak se 100 të punësuar.

Sipas ministrit të Financave dhe Ekomomisë, Arben Ahmetaj, qeveria po përgatit një program rikualifikimi për të gjithë ata që do të dalin të papunë nga shërbimet e kësaj industrie, por ende nuk ka një shpjegim konkret lidhur me këtë nisëm.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit