Tërmet Peci, kryebashkiaku i Tepelenës vihet shpeshherë në qendër të vëmendjes nga mediat për shkak të “bëmave” të tij të pazakonta, gjë që nuk i kanë aspak hije qytetarit të parë të një qyteti.
Pak kohë më parë, u përfol shumë piktura murale e bërë në një palestrën e një prej gjimnazeve të Tepelës, ku ishte pikturuar kryeministri Rama duke luajtur basketboll.
Peçi e kishte marrë si rol model kryeministrin për të rinjtë të cilët aspirojnë sportet, sa e kishte bërë imazh sportiv të palestrës së gjimnazistëve.
Me sa duket “dëmet” e Tërmetit nuk kanë të sosur, pasi këtë radhë ai është filmuar në një darkë të shtruar nga vetë ai me rastin e 75 vjetorit të çlirimit të qytetit, fill pas koncertit që iu kushtoi tepelenasve dhjetëra milionë lekë.
Në video, kryebashkiaku shihet i shoqëruar nga miqtë e tij dhe drejtuesit lokalë të PS.
Teksa ndodhet në krah të Golikut të famshëm të Bënçës, ai nderon me dorën e bërë grusht, Enver Hoxhën.
Dihet se Goliku e ka patur dobësi Enver Hoxhën që kur thurte këngë në festivalet folklorike të Gjirokastrës në vitet ’80.
Peci përmend disa herë emrin e diktatorit komunist dhe në një moment gjatë këngës zëvendëson emrin e Enver Hoxhës me ”Edi Rama”, duke iu rikthyer dhe duke iu përmbajtur tekstit të këngës.
Padyshim që pas kësaj videoje Tërmeti i Tepelenës i cili nderon me grushtin komunist liderin socialist, do të vjedhë sërish të gjithë vëmendjen e mediave dhe atë të Ramës.