Mustafa Lici, vëllai i Fatbardh Licit, i vrarë pak kohë më parë në Shkodër, në një deklaratë për mediat është shprehur se shteti po bashkëpunon me bandat kriminale.
Ai ka thënë se pas vrasjes së biznesmenit Arjan Ferracaku ditën e djeshme në Shkodër, policia ka shkuar dhe i ka marrë me forcë djalin e ngujuar 15-vjeçar, duke shtuar se pas çdo ngjarje kriminale në qytetin verior, gishti drejtohet tek ata.
Lici, i cili është këshilltar në bashkinë e Shkodrës është shprehur se ata kanë 3 javë që qëndrojnë të ngujuar jo për faj të bandave, por për faj të shtetit dhe për këtë do i drejtohen Strasburgut.
Ai ka thënë:
VRASJA E FATBARDH LICIT
Më 10 gusht të këtij viti, 53-vjeçari Fatbardh Lici u ekzekutua në mënyrë mafioze nga persona ende të paidentifikuar.
Viktima ishte ulur në një lokal në lagjen Kiras në zonën e njohur si ish-Poçeria rreth orës 6 e 45 minuta dhe rreth 5 minuta më pas është ekzekutuar 15 herë me armë zjarri nga një person i maskuar.
Autori u largua më pas me një automjet tip “Benz”.
Dyshohet se automjeti që u përdor në atentatin ndaj Fatbardh Licit dhe më pas u gjet në flakë në zonën e Dobraçit nga policia, rezultoi të ishte vjedhur në Tiranë.
Pista kryesore e vrasjes së 53-vjeçarit Fatbardh Lici ishte ajo e gjakmarrjes nga Kurtmemajt për vrasjen e Astrit Kurtmemaj, ngjarje e ndodhur 2011-ën.
***
VRASJA E ASTRIT KURTMEMAJT
Astrit Kurmemaj, 45 vjeç, po kthehej në shtëpi, kur në një rrugicë të lagjes “Kiras” e prisnin atentatorët.Për policinë, e vetmja pistë mbi të cilën po hetohet, është ajo e gjakmarrjes, pas përfshirjes së emrit të Kurmemajt në dy vrasje: e para në atë të Genc Muçës, për të cilën mori pafajësinë, dhe ajo e kushëririt të viktimës, Luan Muça, për të cilën po kryen dënimin me 14 vjet burg. Në komisariat janë shoqëruar disa persona, mes të cilëve mendohet se janë dhe dy autorët e krimit ndaj babait të 4 fëmijëve.
KRIMI
Megjithëse ishte i dënuar për veprën penale të vrasjes, Astrit Kurmemaj kishte arritur të fitonte një leje 5-ditore nga drejtuesit e burgut të Shënkollit. Banori i lagjes “Kiras” kishte dalë të enjten e kaluar dhe pritej që ditën e sotme të rikthehej në qeli. Gjatë këtyre ditëve mësohet se Kurmemaj jo vetëm që ka qëndruar i kujdesshëm, por askush në qytet nuk ka pasur dijeni në lidhje me këtë fakt, derisa është mësuar se ai është vrarë. Ka qenë ora rreth 15.30, kur në një rrugë dytësore të lagjes periferike të qytetit të Shkodrës, rreth 500 metra larg shtëpisë së viktimës, 45-vjeçari Astrit Kurmemaj është qëlluar me një plumb pas koke. Viktima ka qenë duke lëvizur vetëm në këmbë dhe në kokë mbante një kapelë, si dhe një palë syze të mëdha dielli, për të mos u njohur nga kalimtarët e rastësishëm, gjithmonë duke u ruajtur nga frika e hakmarrjes. Gjatë kohës që Kurmemaj ka qenë duke u kthyer për në banesën e tij, pranë i është afruar një person dhe e ka qëlluar me pistoletë drejt e në kokë. Plumbi e ka rrëzuar përtokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme, ndërsa autori i ngjarjes është larguar me shpejtësi, pa mundur të identifikohet dot nëpër rrugicat e shumta, që ndodhen në afërsi të vendit ku ka ndodhur ngjarja. Siç duket, autori i krimit ka pasur informacione të sakta në lidhje me vendndodhjen e shënjestrës së tij dhe rrugën nga do të lëvizte. Madje, autori ka qenë aq i saktë në veprime, saqë viktima nuk ka arritur ta nuhasë fare, duke u qëlluar pabesisht pas koke.
HETIMI
Me të marrë informacion në lidhje me vrasjen e Kurmemajt, menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie si dhe të FNSH-së. Këto të fundit, pasi kanë siguruar vendin ku ka ndodhur krimi, kanë filluar menjëherë të krehin zonën, duke ushtruar kontrolle në rrugët pranë vendit të ngjarjes si dhe duke marrë në pyetje kalimtarë të rastit, që mund të hidhnin sadopak dritë në lidhje me identitetin e autorëve ose të rrugës se nga mund të ishin larguar ata. Pas kësaj, policia ka shoqëruar rreth 15 persona dhe po i merr në pyetje, pasi mendohet se ata mund të kenë dijeni mbi ngjarjen ose për personat që mund ta kenë kryer krimin. Mbrëmjen e djeshme, policia ka bërë të ditur se janë identifikuar 2 persona, që mendohet se janë autorët e mundshëm të vrasjes së Kurmemajt, por që meqenëse ata janë akoma të lirë, emrat e tyre nuk bëhen të ditur për arsye hetimi. Ndërkohë që në të gjitha rrugët hyrëse e dalëse të qytetit, policia ka vendosur postblloqe që kontrollojnë lëvizjet e personave të dyshimtë, për të bërë të mundur kapjen e autorëve. Për policinë, nuk ka asnjë dyshim se krimi ka pasur si shkak gjakmarrjen, duke e lidhur me ngjarjet me familjen Muça. Në vitin 1998 u vra Genc Muça, ndërsa në vitin 2002 Besnik Kurmemaj. Ekzekutimet vazhduan në vitin 2003 me Luan Muçën, ndërsa dje u qëllua Astrit Kurmemaj. Hetimet e mëtejshme do të hedhin dritë mbi lidhjen mes këtyre krimeve.
PISTA E VRASJES
Për policinë e Shkodrës, për momentin, pista e vetme, e cila ka shtyrë autorët drejt krimit ndaj 45-vjeçarit, ka qenë ajo e gjakmarrjes. Astrit Kurmemaj është dënuar për vrasjen e një personi dhe ishte i dyshuar më parë për ekzekutimin e një kushëriri të tij. Pista e gjakmarrjes përforcohet dhe më shumë nga policia, pasi rreth një muaj më parë, persona ende të paidentifikuar nga policia tentuan të vrisnin djalin 15-vjeçar të Kurmemajt, raporton "Panorama". Aktualisht rezultojnë dy persona të vrarë nga familja Muça dhe me krimin e djeshëm edhe dy viktima nga familja Kurmemaj, pasi i pari, Besnik Kurmemaj, u vra 9 vjet më parë.
EMIN SPAHIJA
Emri i Astrit Kurmemajt u nxor nga policia e Shkodrës në gusht të vitit 2004, pas ekzekutimit të kryemisionarit të pajtimit, Emin Spahija. Policia e cilësoi Kurmemajn, në atë kohë në kërkim, si person të dyshuar. Spahija rezulton se kishte ndërhyrë mes dy familjeve Kurmemaj dhe Muça për t’u pajtuar pas vrasjes së Genc Muçës. Me gjithë variantin e policisë, nuk u gjetën prova dhe familja e viktimës Spahia pohoi se nuk kishte asnjë dyshim mbi Kurmemajn. Prej 7 vitesh, edhe krimi ndaj Spahisë, kryer para shtëpisë së tij në Shkodër, ka mbetur mister.
LEJE NGA BURGU PËR SJELLJE TË MIRË
Sjellja e mirë në qelitë e burgut të Shënkollit të Astrit Kurmemajt, ka qenë favori që 45-vjeçari të marrë leje 5-ditore, edhe pse i dënuar për vrasje dhe me probleme të gjakmarrjes. Mësohet se dhe më parë, Kurmemaj kishte dalë me leje nga burgu. Ai është dënuar nga gjykata me 20 vjet burg për vrasje, por për shkak të gjykimit të shkurtuar përfitoi ulje 1/3 e dënimit, për të kryer 14 vjet.
HISTORIA E GJYQEVE PËR ASTRIT KURMEMAJN
Dy procese të gjata janë zhvilluar në Gjykatën e Shkodrës me të pandehur viktimën e djeshme, Astrit Kurmemajn. Në të dy rastet, ndaj tij ka rënduar akuza e rëndë, ajo e vrasjes, fillimisht e Genc Muçës (i njohur me nofkën Kanani), si dhe të kushëririt të tij, Luan Muça. Krimi i parë ndodhi në vitin 1998, për të cilin u dyshuan tre vëllezërit Kurmemaj, mes tyre dhe Astriti. Në vendimin e saj të 18 korrikut 2007, Gjykata e Shkodrës, pasi shqyrtoi materialet në ngarkim të Astrit Kurmemajt për vrasje dhe armëmbajtje pa leje dhe Agim Kurmemajt për veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës, (vëllai i tretë, Besnik Kurmemaj ishte vrarë) e hoqi përgjegjësinë prej tyre. Gjatë deklaratës së vendimit pohohet se: “Gjykata çmon se nga të gjitha provat e administruara rezulton se fisi i Muçajve është në hasmëri me fisin e Kurmemajve, por se kush prej tre vëllezërve ka qenë në vendngjarje nuk dihet. Nuk ekziston asnjë provë e drejtpërdrejtë që të implikojë në rolin e autorit të vrasjes të pandehurin Astrit Kurmemaj, për më tepër nga thëniet e dëshmitarëve rezulton se vrasjen e ka kryer vëllai i të pandehurve, që është shtetasi Besnik Kurmemaj (i vrarë tashmë nga shtetasi Flamur Muça)”. Në këtë mënyrë, Astrit Kurmemaj u dënua vetëm me 3 vjet burg për armë pa leje dhe doli i pafajshëm për krimin ndaj Genci Muçajt. E kundërta ndodhi për ngjarjen e prillit 2003, kur u ekzekutua kushëriri i viktimës, Luan Muçaj. Astrit Kurmemaj u gjykua në shkurt të vitit 2009 për këtë ngjarje, duke u cilësuar fajtor nga ana e Gjykatës së Shkodrës. Sipas vendimit, provat e gjetura nxjerrin fajtor Kurmemajn. Ai u dënua me 21 vjet burg për vrasje, por për shkak të procesit të gjykimit të shkurtuar, dënimi i fundit ishte 14 vjet heqje lirie.