Nga MARIN MEMA
Tradita, natyra dhe karakteri i viseve shqiptare ka qenë shpesh muzë frymëzimi për mjaft artistë të huaj, të cilët fati ka dashur të kenë qenë prezent në vendin tonë në periudha të ndryshme, duke lënë sot sado pak në fondin e krijimtarisë botërore një trashëgimi për të cilën edhe ne duhet të ndihemi krenarë.
Piktori anglez Richard Caton Woodville është një prej atyre artistëve, që përmes mjeshtërisë së tij, i ka dhënë jetë një copëze të Shqipërisë, duke ia servirur më pas atë publikut artdashës londinez apo edhe më gjerë.
I lindur në Londër, në një familje me prejardhje fisnike, ndonëse Woodville një pjesë të jetës jetoi në Shën Petërsburg, studimet për pikturë i kreu në Paris dhe Dusseldorf. Pas kthimit përfundimtar në Londër ai nisi të punojë si një nga ilustratorët kryesorë, por edhe më të mirë të kohës të revistës “The Illustrated London News”.
I dërguar në Ballkan si korrespondent në frontin e luftës, më 1880 ai u vendos edhe për disa muaj në Shqipërinë e Veriut, ku shoqërohej edhe nga një gazetar amerikan.
Grafikat e Woodville, i cili u ndodh në vendin tonë në prag të Lëvizjes së Prizrenit, shërbyen për të ilustruar shkrimin ku jepeshin detaje mbi këtë kryengritje të madhe dhe ajo që bie në sy është paraqitja e karakterit krenar të malësorit, siç përshkruan në veprën e tij “Shqiptarët në artin botëror”, profesor Ferid Hudhri.
Ajo që të bie në sy është se, nëse Bajroni shqiptarin e jugut e përshkroi me fustanellë, armët e lara me flori dhe rrobat e qëndisura me ar, nga ana tjetër asgjë më pak nuk kishin shqiptarët e veriut. Nën madhështinë e të kuqes, të bardhës dhe të artës, ata i kënaqën sytë artistit anglez dhe bashkëpunëtorit të tij amerikan.
Mesa duket ndjesitë e mira i thelluan edhe më tej dhe ata shkruan gjithashtu edhe mbi disa punime artistike duke dëshmuar se ato nuk mbeteshin pas atyre të kryeqyteteve perëndimore. Duke cituar punimet e filigranit prej ari e argjendi të Pejës dhe Gjakovës, artistët gjykojnë se ato janë shumë më të mira se ato të Maltës, si nga motivet që paraqesin, ashtu edhe nga finesa që ishin krijuar.
E kështu gjithçka që e frymëzoi artistin anglez u kthye në një krijim, ndaj ndër vite, krijimet më të bukura të piktorit Woodville për shqiptarët zunë faqet e para apo edhe kopertinën e revistës “The Illustrated London News”, ku përveç figurës së shqiptarit me fustanella e të armatosur, nuk kishte si të mos spikaste edhe natyra e bukur që i befasoi dy vizitorët e huaj. Sot në koleksione private në Angli gjenden të përjetësuara peizazhe të bukura falë penelit të Woodville./JOQ.al