Një prej këngëve më të bukura dhe që i ka rezistuar brezave është “Ky marak” nga kompozitori Pjetër Gaci, e cila ishte inspiruar nga një prej femrave më të bukura shkodrane të viteve 70-të.
Kënga “Ky marak” e shpërfaq dashurinë në formën e saj gati të kulluar, ku interesi dhe trillimi nuk ekziston.
Mirëpo, i frymëzuar nga një grua e martuar, Pjetër Gaci e ka publikuar këngën pa i marrë leje burrit të saj.
Është dramaturgu dhe shkrimtari Stefan Çapaliku, i cili bën një rrëfim që shpalos historinë e pazakontë që fshihet pas kësaj kënge të pavdekshme.
Në veprën ““Secili çmendet simbas mënyrës së vet!”, Çapaliku shkruan:
“Nuk e nxirrte që nuk e nxirrte zotni Pjetri këngën në publik, pa ia treguar më së pari të shoqit të asaj zonje e pa marrë leje prej tij, edhe pse askund në këngë nuk permendej emri i saj.
– Unë jam Pjetër Gaci, – i doli përpara një mëngjes të shoqit të muzës së vet, – dhe unë e di se kush jeni.
– Unë, e di se kush jeni ju, – iu përgjigj zotëria.
Atëherë Pjetri i kërkoi vetëm pesë minuta për të kthyer së bashku te shtëpia e vet. U ul në piano dhe ia këndoi këngën.
– Ja, këtë desha me ta tregue, – i tha, – dhe ti je i pari që e dëgjon. Këtë kangë e kam shkrue për gruen tande e në qoftë se ti thue mos me e nxjerrë, unë tash e fshij e të kërkoj të falun për guximin.
Duhet të ketë ndejë me kryet ulë ai farë burri. Ndoshta edhe ai tjetri. Por jo.
Pauza nuk kish zgjatë shumë.
-Unë po ndjehem i nderuem, mor zotni Pjetër, për këto fjalë e këtë muzikë të bukur që ia paske kushtue sime shoqe. Të falemnderës, – i ka zgjatë dorën dhe ka dalë!”